Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike bëri me dije se do t’i kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj.
Ndërkohë Sinaj ka reaguar për këtë kërkesë të PD-së, për të cilën tha se kishte mbetur i habitur.
Sinaj tha se në zbatim të Kushtetutës, që nga viti 2017 ka dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve, duke iu përkushtuar vetëm politikës.
Ai shtoi se nuk ka përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur ka qenë deputet dhe as kur është zgjedhur deputet.
Sipas Partisë Demokratike, nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sina, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milionë lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës kur ushtron edhe mandatin e deputetit.
Reagimi i Sinës:
Mësova me habi dhe jo pa humor, kërkesën për mocion të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Gjobëvënësit mediatikë e përsërisin këtë këngë gjinkallash nga viti 2017. Por, surpriza është që thashethemet e portaleve përdoren nga opozita duke i kthyer në akte politike.
Per sa më sipër, deklaroj me përgjegjësi të plotë:
– Në zbatim të nenit 70, pika 3 e Kushtetutës, nga viti 2017 kam dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve të mia, duke iu përkushtuar vetëm politikës.
– Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi.
– Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet.
Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit.
LEXONI GJITHASHTU:
- Sherr me grushte në Kuvend mes Bledion Nallbatit dhe Vullnet Sinaj
- VIDEO| Deputetët Nallbati dhe Sinaj, përplasje dhe jashtë Kuvendit