Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka akuzuar SHBA-në se qëndron pas të gjitha konflikteve dhe gjakderdhjeve në botë, duke konfirmuar politikën e Phenianit për të zhvilluar më tej forcat e saj bërthamore, njoftuan sot media shtetërore e Koresë së Veriut.
Gjatë një vizite në Ministrinë e Mbrojtjes të shtunën për të shënuar 77-vjetorin e themelimit të forcave të armatosura të Koresë së Veriut, Kim tha se asetet strategjike bërthamore të SHBA janë vendosur në Gadishullin Korean dhe se stërvitjet e përbashkëta ushtarake nga SHBA, Japonia dhe Koreja e Jugut po çojnë në një “strukturë të re konflikti” që ai tha se përbën një sfidë të madhe për Korenë e Veriut.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut fajësoi gjithashtu SHBA-në për luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, njoftoi agjencia e lajmeve KCNA e Koresë së Veriut.
Kim deklaroi se ushtria dhe populli i Koresë së Veriut do të mbështesin vazhdimisht luftën e popullit rus për të mbrojtur, siç tha ai, sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të tyre, raportoi Yonhap.
Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten pas takimit me kryeministrin japonez Shigeru Ishiba se do të vendoste marrëdhënie me Korenë e Veriut , pasi të dy liderët shprehën shqetësimet për programin bërthamor të Veriut.