English

Kina fshin Mesut Ozil nga lojërat kompjuterike pas postimeve në Twitter për Ujgurët

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Ylli i Arsenalit, Mesut Ozil, është fshirë nga lojërat kompjuterike kineze si një kundërpërgjigje ndaj postimit të tij në rrjetet sociale, ku kritikonte persekutimin e Ujgurëve, komuniteti mysliman i Kinës.

- Advertisement -

Botuesi i kompanisë ekskluzive PES në Kinë, NetEase, tha se gjermani kishte “postuar një deklaratë ekstreme në rrjetet sociale për Kinën” gjë që ka “lënduar fansat kinez si dhe ka shkelur shpirtin e dashurisë dhe paqes së lojës”.

Ai konfirmoi se Ozil, një gjerman i fesë myslimane me origjinë turke, është hequr nga tre lojëra: “Pro Evolution Soccer”, “Kings Assembly” dhe “Pro Evolution Club”.

“Ne nuk e kuptojmë, nuk e pranojmë dhe nuk e falim këtë” thuhet më tej në deklaratën e NetEase në rrjetin social kinez Weibo, gjatë së mërkurës.

Ngjarja ka sjellë dhe pasoja të tjera në botën e sportit, pasi ekipi i Kolonjës shpalli se do të tërhiqej nga një marrëveshja për të hapur një akademi futbolli në Kinë.

Kreu i këshillit të anëtarëve të klubit, Stefan Müller-Römer, mirëpriti vendimin, duke i thënë gazetës vendase, Kölner Stadt-Anzeiger, se Kolonja nuk duhet të bashkëpunojë me një vend për të cilin ai tha se po ndërton “një shtet me mbikëqyrje totale”.

Megjithatë, administratorët e klubit thanë të mërkurën se Müller-Römer nuk ishte duke folur në emër të tyre dhe se kanë qenë arsye sportive, e jo politike, ato që i kanë shpënë në vendimin për tu tërhequr nga projekti në qytetin e Shenianit në pjesën Verilindore të Kinës.

“Luftëtarët ujgurë që i rezistojnë persekutimeve”

Ozil ka postuar mesazhe në rrjetet sociale gjatë javës së shkuar duke e quajtur minoritetin e Ujgurëve “luftëtarë që i rezistojnë persekutimeve” dhe ka kritikuar sulmet e tyre nga Kina si dhe heshtjen e myslimanëve.

Ai gjithashtu akuzoi Kinën për djegien e Kuranit, mbylljen e xhamive dhe vrasjen e akademikëve fetar.

“Pavarësisht gjithë kësaj, myslimanët qëndrojnë në heshtje,” ka postuar ai në turqisht, krahas flamurit të propozuar të Turkstanit Lindor, një rajon në Veriperëndim të Kinës, e njohur tani si provinca e Sinjanit.

Ministria e Jashtme e Kinës tha se Ozil “është manipuluar nga lajmet e rreme” teksa platformat në vend, si Weibo, u tejmbushën nga mesazhe urrejtjeje.

Arsenali u distancua me shpejtësi nga komentet e Ozilit, duke thënë se klubi “i ka qëndruar gjithmonë parimit për të mos u përfshirë në politikë”.

Kina është përgjigjur duke anuluar transmetimin e ndeshjes së Arsenalit kundër Manchester City që do të zhvillohet të dielën.

Kina i ka mohuar vazhdimisht akuzat për keqtrajtimin e Ujgurëve. Por Kombet e Bashkuara dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë deklaruar se rreth 2 milion Ujgurë janë ndaluar si pjesë e asaj që Pekini e quan fushatë anti-terroriste.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Donald Trump prezantoi kriptomonedhën duke rritur frikshëm pasurinë brenda natës! Çfarë mendoni për lëvizjen e tij?