Ekipi i dytë i mjekëve ekspertë kinezë ka mbërritur në Itali, për të ndarë me mjekët vendas eksperiencën për të luftuar koronavirusin që ka infektuar mbi 35 mijë italianë dhe vrarë rreth 3 mijë të tjerë.
Ekipi 12-anëtarësh nga provinca lindore kineze Zhejiang mbërriti në rajonin verior të Lombardisë, më i prekuri në vend. Ai pritet të punojë me institucionet italiane për dy javë. Grupi i ekspertëve ka sjellë me vete edhe ndihma me pajisje, reagjentë testi, veshje mbrojtëse pajisje për repartin e terapisë intensive.
Zëvendës presidenti i Lombardisë, Fabricio Sala deklaroi se ndihma mjekësore nga Kina është shumë e rëndësishme për Italinë.
“Vështirësia kryesore me të cilën po përballemi në këto momente është mungesa e stafit. Të gjithë mjekët dhe infermierët në Lombardi janë përfshirë në luftën kundër epidemisë. Na duhen punonjës sepse piku i rasteve të konfirmuara me koronavirus mund të verifikohet në ditët e ardhshme. Ndaj ndihma e Kinës është shumë e rëndësishme”, tha Fabrizio Sala, zëvendëspresidenti i rajonit të Lombardisë.
Ndërkohë, Kina i ka dërguar pajisje mjekësore edhe Francës. Një avion është ulur në aeroportin Sharl Dë Gol, i mbushur me kuti me maska, doreza dhe mjete të tjera për të ndihmuar në luftimin e virusit.
“Ne zgjodhëm një fjalë të urët kineze që thotë, “1 mijë milje miqësi është më e fortë se çeliku dhe guri”. Ajo i përket periudhës së Tre Mbretërive në Kinën e lashtë dhe do të thotë se, nëse ke zgjedhur mikun e duhur, edhe nëse je mijëra milje larg, zemrat qëndrojnë së bashku”, theksoi Lu Shaye, ambasadori kinez në Francë.
Franca ka regjistruar në tërësi 9 mijë e 134 raste, me një rritje prej 1 mijë e 404 krahasuar me ditën parardhëse dhe 264 vdekje që nga rënia e virus.