Kina ka raportuar 39 raste të reja me coronavirus këtë të diel, por të gjitha rastet janë të importuara nga vendet e tjera.
10 janë raportuar në Pekin, 10 në Shangai, 6 në Fuixhian, 6 në Guangdong.
Po ashtu, të dielën janë verifikuar nëntë vdekje të reja, të gjitha në Hubei, ku buruan infeksionet e para, si dhe janë marrë analizat e 47 personave të rinj, të cilët dyshohen si të infektuar.
Vetëm ditën e djeshme janë nxjerrë 459 persona nga spitalet, pas një shërimi të plotë. Numri i atyre që dalin të shëruar është rritur me 96.
Numri total i të prekurve në Kinë arriti në 81.093 këtë të diel. Pacientët që janë duke u mbajtur ende si të sëmurë janë 5120.
72.703 pacientë janë nxjerrë nga spitalet pasi kanë rezultuar të shëruar, dhe 3270 në total kanë vdekur nga sëmundja.
Deri tani janë identifikuar 335.000 persona të infektuar në të gjithë botën, dhe 14.600 kanë vdekur.
Italia e mbylli të dielën me 651 vdekje nga COVID-19. Edhe pse shifra është tepër alarmante, është më pak se një ditë më parë, kur vdiqën 793 persona, ndaj përfaqësuesit e kanë parë si shenjë pozitive.
Kongresi amerikan, ndërkohë, është duke diskutuar për miratimin e një pakete prej 2 trilionë dollarësh për të zbutur dëmin e virusit në ekonomi.
Irani mbetet një nga vendet më të prekur, me 21.600 persona të infektuar dhe 129 të vdekur vetëm të dielën, që e çojnë totalin në 1685.
Franca, e cila e ka nisur kufizimin e qarkullimit që më 16 mars, duke mos lejuar grumbullimin e njerëzve dhe duke mbyllur dyqane, restorante e vende pune, po ashtu po përballet me një numër të madh të vdekurish. Të dielën vdiqën 112 persona, duke e çuar totalin në 674.
Gjermania dhe Zvicra kanë nisur të mbajnë pacientë francezë në spitalet e tyre për të ndihmuar me situatën, ndërkohë që ushtria ka nisur të ngrejë spitale në terren.