Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu në një intervistë për Euronews Albania ka ngritur shqetësimin e Partisë Demokratike lidhur me të shkuarën e kreut të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsioni, e quajtur rëndom SPAK.
Sipas Balliut, Shqipëria ka plot njerëz me eksperiencë që mund të ishin zgjedhur në krye të SPAK, një strukturë për të cilën është investuar aq shumë nga SHBA dhe tek e cila shqiptarët mbajnë shpresë se do bëjë drejtësi.
“Partia Demokratike e vlerëson investimin e SHBA, por një seri pyetjesh janë ngritur pas daljes së dokumenteve që lidhen me kryetarin e kësaj strukture që ka lidhje me regjimin e Enver Hoxhës.
Për këtë akuzë duhet mbajtur qëndrim. Shqiptarët kanë shpresë së kjo strukturë do çoj para drejtësisë ata që kanë vjedhur votat e shqiptarëve.
Shqipëria ka mjaftueshëm eksperiencë dhe ka pasur mjaftueshëm mundësi për t’ia dhënë këto struktura të rëndësishme njerëzve që nuk kanë qenë të lidhur me monizmin. Nuk ka pse një strukturë kaq e rëndësishme t’i jepet një personi të tille”, – tha Ballaiu.
Ish-deputeti risolli në vëmendje një nga dosjet më të rëndësishme që pritet të bëhet pjesë e hetimeve të SPAK, siç është ajo e denoncimit të PD për blerjen e votave në Dibër hetim që sipas tij do të ketë mbështetjen e plotë të kësaj partie.
“SPAK do arrestojë ata që kanë vjedhur votat. Basha ka vite që e ka denoncuar këtë aferë. SPAK deri tani ka qenë PD. Përgjimet e Dibrës, është dosja që ne e kemi analizuar dhe kemi bërë 100 denoncime. Kjo dosje do i shkojë SPAK dhe ne e mbështesim”, – tha Balliu.