English

KMDLNJ kritikon reagimin e autoriteteve të Kosovës pas arrestimit të Tefik Mustafës

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Kosovë e ka kritikuar të hënën Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës (MPJD) për mënyrën e reagimit ndaj arrestimit të një shtetasi të Kosovës në pikëkalimin kufitar të Kosovës me Serbinë, Merdare.

- Advertisement -

Tefik Mustafa është arrestuar më 1 qershor nga autoritetet serbe, nën dyshimet për “krime lufte”.

Ministria e Jashtme e Kosovës e ka konsideruar ndalimin e Mustafës si arbitrar dhe ka kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.

“Reagimi i institucioneve ka qenë automatik, si këngë korale, pasi kanë ndodhur arrestimet. Sidomos për këto dështime dallohet MPJD, që ka përgjegjësi ligjore dhe morale të trajtojë me seriozitet këto raste”, është thënë në reagimin publik të KMDLNJ-së.

Organizata u ka bërë thirrje edhe një herë qytetarëve, që eventualisht mund të arrestohen nga Policia serbe, të mos udhëtojnë përmes Serbisë, pasi ata nuk do të mund të vizitohen prej organizatave për të drejta të njeriut dhe kanë probleme në sigurimin e një mbrojtjeje efektive ligjore.

“Serbia po e shfrytëzon arrestimin e shtetasve të Kosovës të nacionalitetit serb, të dyshuar për krime lufte, për të arrestuar dhe keqtrajtuar shqiptarë të Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi”, është thënë mes tjerash në reagimin e bërë nga KMDLNJ.

Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës, për siç është thënë, dyshimet se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-99.

Më 17 prill të këtij viti, autoritetet serbe e kanë arrestuar shtetasin tjetër të Kosovës, Sadik Durakun, nën dyshimet e njëjta, në njërin prej pikëkalimeve kufitare Kosovë-Serbi.

Familjarët e tij i kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Duraku ka jetuar në Angli në atë periudhë, bashkë me familjen e tij.

Duraku është arrestuar në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe ia ka caktuar masën e paraburgimit po atë muaj.

Më herët gjatë vitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë për, siç ka thënë ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Euro 2024| A mendoni se Shqipëria do të mund ta kalojë grupin e “ferrit” në kampionatin Evropian?