English

Koha e shpenzuar me familjen, mjedisi më i pastër dhe më tepër orë për të mësuar – shqiptarët ruajnë optimizmin nga karantina

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Pothuajse çdo informacion për situatën e shkaktuar nga coronavirus, po jepet dhe komentohet në rrjetet sociale. Përpos informimit nga institucionet zyrtare, mediat dhe profesionistët e fushave të ndryshme, informacione të vlefshme vijnë edhe nga vetë banorët e izoluar.

- Advertisement -

Përgjatë këtyre ditëve Euronews Albania ka shpërndarë mënyrën si po e përballojnë qytetarët kufizimin e lëvizjeve, si dhe ka ofruar dëshmi nga personalitetet të cilët po e përjetojnë në vijën e parë luftën me pandeminë.  

Pyetjes së sotme në profilin tonë në Instagram për të ruajtur optimizmin dhe për të listuar disa nga pasojat pozitive që coronavirus ka sjellë iu përgjigjën dhjetëra persona.

Koha e kaluar me familjen qëndron në krye të listës, ku pothuajse në të gjitha komentet cilësohet se kjo kohë ishte shumë e reduktuar më parë, për shkak të angazhimeve të përditshme.

“Familje e bashkuar. Duke kaluar më shumë kohë me njerëzit, na kishin munguar. Kalojmë më shumë kohë me fëmijët. Po flasim me të afërmit që i kishim lënë në harresë”, janë disa prej komenteve.

Përmirësimi i ndjeshëm i cilësisë së ajrit, cicërimat e zogjve që kanë zëvendësuar ndotjen e përditshme akustike dhe mungesa e trafikut u listuan gjithashtu si ndër pasojat më pozitive.

“Më në fund ajër i pastër. Po dëgjojmë cicërimat e zogjve më shumë se sa zhurmën e makinave”, shkruajnë disa.

Vetëizolimi ka shërbyer edhe si një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e aftësive profesionale dhe kreative, duke nisur nga leximi i librave ose zgjerimi i njohurive nëpërmjet kurseve online, që në këtë kohë, nga shumë platforma janë ofruar edhe pa pagesë ose me kosto më të ulëta se zakonisht.

Pikërisht mundësia për të kursyer është e renditur në listë si ndër më të rëndësishmet, pasi shumë shprehen se janë më kritikë në blerjet e tyre, duke shmangur shpenzimet e kota.

Vlerësohet masivisht bashkëpunimi i qytetarëve duke respektuar rregullat, pasi në thelb, të gjitha këto përfitime të mësipërme nuk do të ishin të mundura pa ndërgjegjësimin e tyre.

“Shihet vetëdija e lartë qytetare pasi shumë shpejt u përshtatëm me gjendjen e krijuar”, është një prej komenteve.

Reflektimi që ka ardhur tek qytetarët në këtë krizë globale lidhet me vlerësimin e gjërave jo materiale dhe kujdesin ndaj gjërave që i marrim si të mirëqena. Nën hashtagun #uneqendrojneshtepi , #unerrineshtepi dhe të tjera të ngjashme, janë postuar aktivitete të ndryshme që mund të bëhen në shtëpi, jo vetëm në formën e mesazheve sensibilizuese por edhe si sfida, duke sjellë ndryshime pozitive nëpërmjet argëtimit.

 

Na ndiqni në Instagram: euronews_albania

Etiketimet

spot_img

TË FUNDIT

spot_img

Sondazh

Kush mendoni se ishte fituesi i debatit të parë presidencial në SHBA?