English

Kolonët izraelitë të gatshëm të vendosen në Gazë, i “vënë syrin” bregdetit

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Nga Orla Guerin, korrespondente ndërkombëtare e BBC, Bregu Perëndimor

- Advertisement -

Kush nuk do ta dëshironte një shtëpi në plazh? Për disa persona të së djathtës ekstreme në Izrael, vija e dëshiruar bregdetare tani përfshin rërën e Gazës.

Thjesht pyesni Daniella Weiss, 78 vjeç, prijëse e lëvizjes kolone të Izraelit, që thotë se ka një listë me 500 familje të gatshme për t’u zhvendosur menjëherë në Gaza.

“Kam miq në Tel Aviv,” thotë ajo, “dhe ata më thonë të mos harroj t’ju ruaj një copë tokë pranë brigjeve në Gaza sepse është një bregdet i mrekullueshëm, me rërë të artë të bukur.”

Ajo ju thotë se tokat në plazh janë tashmë të zëna.

Zonja Weiss drejton një organizatë radikale kolonësh të quajtur Nachala, ose atdhe. Për dekada, ajo ka nisur kolonitë hebreje në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, në toka palestineze të pushtuara nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.

Disa persona në lëvizjen kolone e kanë ëndërruar rikthimin në Gaza që prej vitit 2005, kur Izraeli urdhëroi një tërheqje të njëanshme, 21 vendbanime u hoqën dhe rreth 9,000 kolonë u evakuuan nga ushtria. (Duke qenë se raportoja nga Gaza asokohe, pashë shumë syresh që realisht i tërhoqën zvarrë.)

Shumë kolonë e panë këtë si tradhti nga shteti, dhe një gabim strategjik.

Sondazhet tregojnë se shumica e izraelitëve e kundërshtojnë rikolonizimin e Gazës, dhe nuk është politikë e qeverisë, por që prej sulmeve të Hamasit më 7 tetor, po flitet me zë të lartë – nga disa prej zërave më ekstremë ne qeverinë e Izraelit.

Daniella Weiss

Zonja Weiss më tregon me krenari një hartë të Bregut Perëndimor me pika rozë që tregojnë vendbanimet e kolonëve hebrenj. Pikat janë të shpërndara në hartë, duke ngrënë nga toka ku palestinezët shpresojnë – apo shpresonin – të ndërtojnë shtetin e tyre.

Janë rreth 700,000 kolonë hebre në këto zona dhe numri i tyre po shtohet me shpejtësi.

Shumica e komunitetit ndërkombëtar i konsideron vendbanimet kolone të jashtëligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, përfshi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Izraeli e kundërshton këtë.

Ne e takuam Daniella-n në shtëpinë e saj në vendbanimin e Kedumim në Bregun Perëndimor, ku shtëpitë me çati të kuqe janë të shpërndara në majat e kodrave dhe lugina. Ajo është në lëvizje të vazhdueshme pavarësisht se e ka krahun në allçi.

Vizioni i saj për të ardhmen e Gazës – tashmë shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve, shumica e të cilëve po vdesin urie – është se do të jetë tokë e hebrenjve.

“Arabët e Gazës nuk do të rrinë në Rripin e Gazës,” thotë ajo. “Kush do të rrinë? Hebrenjtë.”

Ajo pretendon se palestinezët duan të largohen nga Gaza dhe se vende të tjera duhet t’i pranojnë – edhe pse në një intervistë të gjatë, ajo rrallëherë e përdor fjalën “palestinez”.

“Bota është e madhe,” thotë ajo. “Afrika është e madhe. Kanadaja është e madhe. Bota do t’i thithë njerëzit e Gazës. Çfarë bëjmë ne? Ne e inkurajojmë. Palestinezët në Gaza, ata të mirët, do të kenë mundësi. Nuk po them do detyrohen, po them do kenë mundësi sepse ata duan të largohen.”

Nuk ka prova se palestinezët duan të largohen nga atdheu i tyre – edhe pse shumë tani ëndërrojnë të arratisen përkohësisht, për të shpëtuar jetët e tyre. Për shumicën e palestinezëve, nuk ka rrugëdalje. Kufijtë kontrollohen rreptësisht nga Izraeli dhe Egjipti, dhe asnjë vend i huaj nuk ka ofruar strehim për refugjatët.

I them se komente të tilla ngjasojnë si një plan për spastrim etnik. Ajo nuk e mohon.

“Mund ta quani spastrim etnik. E përsëris, arabët nuk duan, arabët normalë nuk duan të jetojnë në Gaza. Nëse doni quajeni spastrim, nëse doni quajeni aparteid, zgjidhni përkufizimin tuaj. Unë kam zgjedhur rrugën e mbrojtjes së shtetit të Izraelit.”

Disa ditë më vonë, Daniella Weiss shet idenë e rikthimit në Gaza me ëmbëlsira dhe kokoshka në një mbledhje të vogël, të organizuar nga një tjetër kolon në dhomën e tyre të ndenjes.

Ajo ka një projektor, që tregon hartën e re të Gazës, të përfunduar me vendbanimet kolone, dhe fletushka me titullin “Kthehuni në Gaza”.

“Njerëzit më pyesin sa gjasa ka që të ndodhë kjo?” thotë ajo.

“Cilat ishin gjasat asokohe kur unë erdha në këto male të errëta dhe i ktheva në këtë parajsë?” Shumica e pjesëmarrësve duken tashmë të bindur. “Dua të kthehem menjëherë,” thotë Sarah Manella. “Kur të më thërrasin, do të kthehem në Gush Katif [ish-blloku i vendbanimeve kolone izraelite në Gaza].”

Po njerëzit që jetojnë atje, e pyesim ne.

“Zona është tashmë e boshatisur,” përgjigjet ajo. “Tani nuk duhet të mendosh ku ta ngresh vendbanimin, duhet vetëm të kthehesh dhe të ngresh një vendbanim të ri.”

Gaza nuk është aspak e boshatisur, por shumica e saj është rrafshuar pas thuajse gjashtë muajsh bombardime pa ndalim nga izraelitët.

Është “varreza në qiell të hapur më e madhe” në botë, sipas fjalëve të shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Më shumë se 32,000 palestinezë janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Hamasi në Gaza, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë. Organizata Botërore e Shëndetësisë i cilëson të besueshme të dhënat e kësaj ministrie.

Për disa anëtarë në kabinetin izraelit, territori palestinez – tashmë i larë në gjak – është i freskët për rikolonizim. Këtu përfshihet Ministri i Sigurisë Kombëtare i së djathtës ekstreme të Izraelit, Ben Gvir – edhe ai vetë kolon.

Në fund të janarit, ai eci mes një salle konferencash të mbushur plot, i ngadalësuar nga përqafimet dhe shtrëngimet e duarve. Ai ishte mes miqsh – rreth 1,000 ultranacionalistë që kërkojnë rikthimin në Gaza në një event të quajtur Vendbanimi Sjell Siguri.

Zoti Ben Gvir, i cili është në favor “të mbështetjes së emigracionit”, ishte ndër dhjetëra ministrat e kabinetit që morën pjesë në event.

“Është koha të kthehemi në shtëpi,” tha ai nga skena, mes duartrokitjesh. “Është koha të kthehemi në tokën e Izraelit. Ne nuk duam një 7 tetor të dytë, ne duhet të kthehemi në shtëpi dhe të kontrollojmë tokën.”

Yehuda Shimon thotë se Gaza duhet të jetë izraelite

Nën hijen e një peme, Yehuda Shimon po luan me dy djemtë e tij të vegjël, që janë në krevate të varura në degë.

Ai ka rritur 10 fëmijë këtu në një vendbanim kolon në Bregun Perëndimor të quajtur Havat Gilad, ose Ferma e Giladit, pranë qytetit palestinez të Nablus.

Gjithë fshatrat rreth tij janë palestinezë, më i afërti 500 metra larg. Nuk ka kontakt mes tyre, thotë ai.

Shimon ka jetuar në Gaza në të shkuarën dhe pretendon se ka gjithë të drejtën e Zotit të rikthehet.

“Duhet ta bëjmë. Është pjesë e zonës së Izraelit,” thotë ai. “Është toka që Zoti na dha, dhe nuk mund t’i thuash Zotit që tokën që ai na dha, ne ja falëm të tjerëve. Jo. Unë besoj se në fund ne do të kthehemi në Gaza.”

E pyes se çfarë nënkupton kjo për palestinezët.

“Ata kanë 52 vende të tjera në botë ku të shkojnë,” thotë ai. “52 vende myslimane.” Ai thotë se Gaza e re do të jetë “një tjetër Tel Aviv”.

Vendbanimet kolone si e tija po shumëfishohen në Bregun Perëndimor, bashkë me vendbanime kolone më të mëdha, që po copëtojnë territorin palestinez dhe po shtojnë tensionet.

Sulmet e kolonëve ndaj palestinezëve janë shtuar që prej 7 tetorit sipas OKB, që prej kohësh i ka dënuar këto vendbanime kolone si “pengesë për paqen”.

Dhe tani organizatat kolone ja kanë vënë sërish syrin Gazës.

A ka një mundësi të vërtetë që ata të arrijnë në brigjet e Gazës?

Një gazetar i vjetër izraelit më tha se nuk do të ndodhë. “Thirrjet për të rikolonizuar Gazën nuk do të përkthehen në politika,” thotë ai.

Dhe më pas shtoi: “Fjalët e fundit të famshme.”/ Marrë nga BBC

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Altin Dumani paraqiti raportin e Prokurorisë së Posaçme, si e vlerësoni punën e SPAK për vitin 2023?
×