English

Komisioneri i ri i Zgjerimit dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen shpalli më 10 shtator përbërjen e ekipit të saj të komisionerëve, me të cilët pritet të drejtojë ekzekutivin e Bashkimit Evropian përgjatë mandatit pesëvjeçar 2019-2024.

- Advertisement -

Në mesin e disa emrave që morën kritika të menjëhershme ishte edhe kandidati për komisioner i Zgjerimit dhe Fqinjësisë, hungarezi László Trócsányi, ministër Drejtësie në qeverinë e Viktor Orbanit nga viti 2014 e deri në maj të 2019-ës, kur u zgjodh deputet në Parlamentin Evropian.

 I konsideruar gjerësisht si “ekzekutuesi” i vullnetit të Orbanit, Trócsányi përballet me një rrugëtim tepër të vështirë në PE, pasi eurodeputetët kanë paralajmëruar se rekordi i qeverisë hungareze rreth sundimit të ligjit nuk mund të injorohet.

Seancat dëgjimore me të gjithë kandidatët do të zhvillohen në komisionet e PE-së duke nisur nga 30 shtatori e deri më 8 tetor, përpara se i gjithë ekipi i komisionerëve të marrë votën përfundimtare në seancën plenare të 23 tetorit, gjithnjë nëse asnjë kandidat nuk do të refuzohet. Zakonisht ndodh që një apo dy komisionerë të refuzohen nga Parlamenti Evropian, duke sinjalizuar faktin që edhe eurodeputetët kërkojnë të tregojnë “muskujt” e tyre.

Një arkitekt i planeve për një sistem të ri gjyqësor në Hungari, i kritikuar gjerësisht për kufizim të pushtetit të gjyqësorit gjatë kohës që ishte ministër Drejtësie, 63-vjeçari Trócsányi prezantoi një seri ligjesh që binin ndesh dhe shkaktuan konflikte ligjore me Komisionin Evropian, të cilit tashmë kërkon t’i bashkohet.

Ai mbikëqyri ligjet që kriminalizuan organizatat joqeveritare, të cilat ndihmonin refugjatët apo ngrinin kampe strehimi për azilkërkuesit, sikurse edhe masat ligjore (paketa e ashtuquajtur “Stop Soros”) që detyruan Universitetin e Evropës Qendrore (CEU) të shpërngulej nga Budapesti.

Kandidimi i tij shihet edhe si një test paraprak për Presidenten e zgjedhur të Komisionit, Ursula von der Leyen. Eurodeputetja holandeze Sophie in ’t Veld, pjesë e Komitetit të të Drejtave të Njeriut dhe atij të Punëve të Brendshme në Parlamentin Evropian, tha se kandidatura e tij “mendohet si provokim”.

“Të jem e sinqertë, duke parë rekordet e qeverisë së tij dhe posaçërisht këtij ministri, duket se hipotetikisht ai nuk do ta kalojë kurrë testin fillestar”, tha ajo duke iu referuar vlerave themelore të BE-së mbi sundimin e ligjit. “Si mund t’i japësh një detyrë të tillë dikujt që nuk respekton apo nuk njeh traktatet? Pres që ai ta ketë shumë të vështirë rrugëtimin në parlament”.

Si rregull, çdo vend anëtar ofron një kandidaturë për komisioner, ndërsa Britania e Madhe këtë herë nuk kandidoi askënd pasi synon të shkëputet nga BE-ja një ditë përpara se Komisioni Evropian të nisë detyrën.

Trócsányi tenton të konfirmohet si komisioner i Zgjerimit dhe Fqinjësisë, një portofol që do të ketë një ndikim të madh edhe tek interesat e Shqipërisë, e cila synon të çelë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian këtë tetor.

Hungaria ka qenë prej kohësh në favor të integrimit të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, veçanërisht për Serbinë e Malin e Zi, me udhëheqësit e të cilëve, Vuçiç dhe Gjukanoviç, Orban ka marrëdhënie të mira, sikurse edhe me ish-kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, i cili iu shmang dënimit me burg duke u arratisur drejt Hungarisë.

Llogaritë e kryeministrit hungarez janë të tilla, që sa më shpejt të anëtarësohen Serbia dhe Mali i Zi, aq më shumë forcohen pozitat e tij dhe të shteteve të Vishegradit (Hungari, Çeki, Sllovaki, Poloni). Përmes këtij posti, gjithnjë nëse Trócsányi do të konfirmohet, qeveria hungareze pret gjithashtu që udhëheqja e re e Brukselit të frenojë emigracionin dhe të mbrojë kombet dhe kulturën e krishterë.

Por, ndërsa për botën e jashtme László Trócsányi konsiderohet si një i panjohur, kush është ai për hungarezët? Opinioni vendas e njohu më së shumti pas vitit 2014, kur u emërua si ministër i Drejtësisë. 63-vjeçari ka qenë pjesë e kuadrove “rezervë” të partisë nacionalkonservatore “Fidesz”, ndërsa konsiderohet specialist për të drejtën kushtetuese, të drejtën evropiane dhe të drejtën krahasuese. Gjatë karrierës së tij si diplomat, Trócsányi ka qenë edhe ambasador në Bruksel në kohën e qeverisë së parë të Orbanit, 1998-2002, për t’u emëruar më pas si gjyqtar kushtetues.

Me komisionerin e fundit Tibor Navracsics, kryeministri Orban nuk pati ndonjë sukses, ndërsa me Trócsányin tenton drejt suksesit në kohë të turbullta të marrëdhënieve Hungari-BE.

Më vonë gjatë shtatorit, ministrat e Bashkimit Evropian do të diskutojnë nëse qeveria e Orbanit ka shkelur parimet evropiane të sundimit të ligjit, pas vendimit të paprecedentë të Parlamentit Evropian për të nisur procedurë disiplinore në lidhje me nenin 7 të traktatit të BE-së që synon të pengojë një vend anëtar të dëmtojë institucionet demokratike.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Si e komentoni dënimin e Ervin Salianjit me 1 vit burg?