Vendet anëtare të Bashkimit Europian do të njihen me një raport të ndërmjetëm lidhur me progresin e reformave në Shqipëri, i cili përditëson progresraportin e majit të vitit të kaluar, për t’u ofruar atyre një panoramë më të freskët lidhur me gjendjen e vendit kandidat për hapje të bisedimeve të anëtarësimit.
Raporti i përgatitur nga Komisioni Europian, të cilin korrespondenti i Euronews Albania në Bruksel e siguroi ditën e sotme, do t’i paraqitet nesër shteteve anëtare. Ai do të shërbejë si bazë për Këshillin Evropian përkrah metodologjisë së re për të marrë një vendim brenda marsit.
“Pas progresit të arritur dhe plotësimit të kushteve të përcaktuara nga Këshilli në qershor të 2018, Komisioni rekomandon që në paketën e zgjerimit të 2019, Këshilli të hapë negociatat me Shqipërinë. Shqipëria ka rritur përpjekjet e saj dhe ka dhënë rezultate të qëndrueshme në fushat kryesore të caktuara në Konkluzionet e Këshillit 2019”, shkruhej në konkluzionet e raportit të përditësuar nga Komisioni Europian.
Lupë në progresin e reformave
Raporti i ndërmjetëm vlerëson rezultatet konkrete të arritura në zbatimin e reformave që lidhen me BE-në dhe në një farë mënyre adreson pikat e shqetësimit të vendeve skeptike që çuan në moshapje të negociatave në tetor 2019.
Azilkërkuesit
Në dokument thuhet gjithashtu se Shqipëria ka vazhduar përpjekjet për të zgjidhur çështjen e azilkërkuesve drejt BE-së. Duke krahasuar të dhënat e disponueshme për 2019 (deri në nëntor 2019) me të njëjtën periudhë të vitit 2017, vala është rreth 17% më e ulët në total.
Ndër masat e marra për të ndaluar këtë valë në raport përmenden informimi për regjimin pa viza, kontrollet në kufi, refuzimi për lejimin e kalimit të qytetarëve me mjete të pamjaftueshme, por edhe bashkëpunimi i shtuar mes Shqipërisë dhe autoriteteve të vendeve destinacion.
Ky bashkëpunim sipas KE duhet të vazhdojë dhe do të monitorohet ngushtësisht, veçanërisht lidhur me Agjencinë të Rojes Kufitare dhe Bregdetare Europiane për riatdhesimin e individëve.
Gjatë vitit 2018-fillim 2020, janë kryer plot 789 fluturime kthimi nga vendet e BE drejt Shqipërisë të 6,742 azilkërkuesve të refuzuar. 4,633 shqiptarë janë kthyer në 2018-2019 nga vendet e destinacionit me fluturime të posaçme.
“Shqipëria është i pari vend në rajon ku një Marrëveshje e Agjencisë së Rojes Bregdetare dhe Kufirit Europian me BE hyri në fuqi. Dërgimi i trupave të përbashkët në kufirin e Shqipërisë me Greqinë nga maji 2019 ka shfaqur rezultate të mira në adresimin e migracionit të parregullt dhe sfidave të sigurisë,” thotë raporti.
Progres i mëtejshëm me reformën në drejtësi
Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, veçanërisht i dosjeve prioritare thuhet se shkoi përpara.
Deri më sot jnë shqyrtuar 234 raste nga KPK, përfshirë të gjitha dosjet me prioritet, nga 811 magjistratë që duhet të kalojnë vetingun. Ka pasur 94 shkarkime, shumica për pasuri të pajustifikuar, 90 konfirmime në detyrë, 49 vendime për ndërprerjen e prodecurave, 33 prej dorëheqjeve dhe 16 për arsye të tjera.
Nga 234 vendimet, 145 janë të formës së prerë. Hetimet fillimisht lidheshin me 477 subjekte vlerësimi nga KPK. Në total, deri më tani 60% e magjistratëve të marrë në veting ose janë larguar nga puna ose kanë dhënë dorëheqjen.
Progresraporti sheh si pozitivë hapat e ndërmarrë në krijimin e organeve speciale, si SPAk dhe BKH.
“Shqipëria po bën progres në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese pas vetingut të anëtarëve të saj dhe ka caktuar disa anëtarë të ri. Kjo do të krijojë bazën që Gjykata Kushtetues të rinisë funksionomin dhe do të rrisë besimin tek publiku,” thuhet ndër të tjera.
Korrupsioni dhe krimi i nivelit të lartë
Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë një nga pikat kyçe të refuzimit të disa vendeve të BE lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë.
Raporti sheh se vendi po forcon hetimet, ndjekjet penale dhe dënimet lidhur me rastet e korrupsionit, përfshirë atë të nivelit të lartë.
Shembull për këtë merret në dokumentin e BE edhe vendimi i shkallës së parë të Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, si dhe tre gjyqtarët e Apelit Durrës.
Në 2019, pati 90 raste të reja të hetimit kundër zyrtarëve të lartë me pesë të akuzuar, përkrah 102 rasteve të vitit 2018 me shtatë të akuzuar. Megjithatë në përditësimin e raportit thuhet se ndërsa numri i hetimeve mbetet i lartë, dënimet përfundimtare në ccështjet ku përfshihen zyrtarë të lartë mbeten të kufizuara.
Lidhur me luftën ndaj krimit të organizuar, numri i rasteve të reja që lidhen me organizatat kriminale dhe grupet e strukturuara kriminale që u çuan për hetim u rritën nga 34 në vitin 2017 në 53 në vitin 2018. Për 2019-ën pati 79 raste të hetuara, 13 aktakuza për krim të organizar u ngritën në 2019, krahasuar me pesë në 2018 dhe shtatë në 2017.
Shqipëria raportoi rreth 20 milionë euro asete dhe pasuri të konfiskuara në vitin 2019, kundrejt 7 milionë eurove në 2018. Llogariten se 870,000 euro u konfiskuan në 2019, krahasuar me 26,600 euro në vitin 2018.
Në luftën kundër pastrimit të parave, raporti thotë se parlamenti shqiptar miratoi “paketën anti-pastrim parash” në korrik 2019, që synon adresimin e rekomandimeve të raportit lidhur me këtë drejtim.
“Shqipëria duhet të përdorë mbështetjen e ofruar nga Komisoni Europian për të forcuar kapacitetin për luftën ndaj pastrimit të parave dhe financimit terrorist.
Reforma zgjedhore
Raporti vlerëson marrëveshjen ndërpartiake të arritur në janar 2020, me opozitën parlamentare dhe jashtëparlamentare, që krijoi një kornizë pune për të negociuar reformën elektorale deri më 15 mars 2020.