Pas eksperiencës 58-vjeçare, kompania ajrore kombëtare e Sllovenisë, “Adria Airways”, ka dorëzuar kërkesën për falimentim në gjykatën e rrethit Kranj.
Sipas njoftimit në faqen zyrtare, procedurat e falimentit u iniciuan nga personeli menaxhues për shkak të problemeve financiare dhe mungesës së një plani ristrukturimi.
Gjykata brenda një periudhe tre ditore do të vendosë për fillimin e procedurave të falimentimit të linjës ajrore anëtare të Star Alliance.
Sipas planit të fluturimeve në faqen zyrtare të TIA-s, pritet të anulohen 34 fluturime brenda një jave nga dhe drejt Rinasit.
Ministri i ekonomisë së Sllovenisë, Zdravko Pocivalsek, kritikoi kompaninë gjermane që zotëron linjën ajrore, duke thënë se humbjet e Adria Airways ishin më të larta nga sa pritej më parë.
Pas falimentimit të deklaruar, ai shton se Sllovenia mund të fusë në treg një linjë tjetër kombëtare. Adria Airways mund t’i duhen 28 milionë euro për të rinisur operimet.
Ende nuk ka një informacion për pasagjerët, të cilët janë përballë kësaj situate dhe nuk dinë si të veprojnë.
“Adria Airways” kreu operimin e fundit nga Kopenhaga drejt Lubjanës më 23 shtator.