Kryeministri i Shqipërisë z.Edi Rama udhëtoi të dielën pasdite drejt Gjermanisë, ndërsa sot pritet të takohet me Kancelaren, Angela Merkel. Ky takim i shefit të qeverisë shqiptare, Edi Rama me Merkelin zhvillohet në kuadrin e Programit të Rindërtimit, me synim ringritjen e zonave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Takimi bëhet përpara Konferencës së Donatorëve, e cila do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel. Të martën e 28 janarit Rama pritet të takohet edhe me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Tiranës zyrtare i është lënë detyrë që të paraqesë një raport të detajuar mbi nevojat që kanë për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti kryesisht në zonën e Durrësit, Lezhës, Laçit dhe Krujës.
Kryeministri Edi Rama dje prezantoi platformën online, ku qytetarët e dëmtuar mund të aplikojnë për të përfituar nga projekti i rindërtimit. Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj theksoi se qytetarët kanë afat një muaj për të dorëzuar dosjen, ndërsa shtoi se platforma do të bazohet tek vetëdeklarimi i qytetarëve.
Kryeministri i vendit, z.Edi Rama theskoi se raporti përfundimtar i dëmeve të tërmetit do të publikohet me 4 shkurt, ndërsa kjo shifër sipas tij, pritet të arrijë në 1.1 miliard euro. Ai porositi edhe bashkitë përkatëse, që t’u qëndrojnë afër qytetarëve dhe t’i ndihmojnë për çdo problem që mund të hasin.
“Në çdo bashki, duke nisur nga e mërkura e 29 janarit, do të duhet të ketë dy sportele të posaçme. Ideja është që nuk do të vijnë qytetarët tek ju, por skuadrat tuaja t’i marrin qytetarët dhe t’i ndihmojnë për aplikimin online”- theksoi mes tjerash z. Ahmetaj.
Para se të vizitonte Gjermaninë, kryeministri shqiptar, z.Edi Rama vizitoi javën që lamë pas shtetin fqinj të Italisë. Ai u takua atje me përfaqësuesit më të lartë të vendit, ndërsa mori garancinë se Italia do të ndihmojë Shqipërinë në “Konferencën e Donatorëve”, e cila pritet të mbahet me 17 shkurt.
Por, një tjetër teme e cila pritet të diskutohet mes Kryeministrit të Shqipërisë dhe Kancelares së Gjermanisë është edhe ajo e hapjes së negociatave. Shqipëria e Maqedonia e Veriut presin që Bashkimi Europian të ndryshojë kurs në raport me dy vendet e Ballkanit Perëndimor duke iu dhënë sërish mundësinë për të vijuar përpjekjet dhe rrugën për anëtarësim në BE.
Kryetari i opozitës së bashkuar, z.Lulzim Basha akuzoi qeverinë, që sipas tij, ka dështuar në menaxhimin e situatës pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit të kaluar.
Me një shënim në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, shefi i Partisë Demokratike tha dje se qeveria Rama i ka braktisur qytetarët e prekur nga tërmeti shkatërrimtar duke i lënë ata të jetojnë nëpër çadra dhe në kushte të vështira sociale.
“Dy muaj pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, ndërsa përkujtojmë me dhimbje 51 jetët e humbura, të gjithë jemi dëshmitarë sesi shteti i babëzisë dhe korrupsionit ka dështuar në çdo detyrë. Sot nuk ka ende një faturë reale dëmesh të vlerësuara. Sot nuk ka ende një vlerësim përfundimtar të objekteve të pabanueshme dhe të dëmtuara. Sot ka ende mijëra familje që kalojnë ditët e ftohta nëpër çadra, pa asnjë ndihmë nga shteti. Sot qytetarët vazhdojnë të sorollaten nga njëra zyrë në tjetrën për të marrë bonusin e qerasë”-shkroi dje lideri i opozitës së bashkuar.