Bashkimi Evropian do të mbajë më 17 shkurt në Bruksel një konferencë me donatorë ndërkombëtarë për të ndihmuar Shqipërinë për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit. Vendet anëtare të BE, partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues nga vende të tjera si dhe organizata ndërkombëtare dhe institucionet ndërkombëtare financiare, përfshirë OKB dhe Bankën Botërore do të jenë pjesëmarrëse.
Konferenca “Së bashku për Shqipërinë”, do të nisë rreth orës 14:30. Mbledhja do të drejtohet nga Presidentja e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, në prezencë të Kryeministrit, Edi Rama. Qëllimi i këtij aktiviteti është mbledhja e fondeve në mbështetje të përpjekjeve të qeverisë shqiptare për rindërtimin e dëmeve të shkaktuar nga tërmeti.
Në Konference do të ketë deklarata nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kryeministri Edi Rama dhe ministra të kabinetit qeveritar shqiptar. Dëmet që shkaktoi tërmeti dhe reagimi i ekipeve të emergjencës do të prezantohen përmes materialeve filmike.
Koordinatorja Kombëtare e Vlerësimit të Nevojave të Pas-Katastrofës, Milva Ekonomi do të prezantoje Raportin e Vlerësimit, ndërsa Ministri për Rindërtim, Arben Ahmetaj do të paraqesë mekanizmat financiarë për kanalizimin e fondeve të rindërtimit.
Mirjana Spoljaric, Ndihmës Sekretare e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Linda Van Gelder, Drejtore Rajonale për Ballkanin Perëndimor e Bankës Botërore dhe Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi do të japin deklaratat e tyre për angazhimin e institucioneve që përfaqësojnë në procesin e rindërtimit dhe rimëkëmbjes së Shqipërisë pas tërmetit. Ne fund te konferences qe nis ne oren 14. 30 dhe perfundon rreth ores 19.00 Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi do të paraqesë konkluzionet.
15 milionë euro
Komisioni Evropian ka ofruar një grand prej 15 milionë euro për rindërtimin. Për këtë, Presidentja e KE dhe Kryeministri i Shqipërisë do të nënshkruajnë marrëveshje gjatë Konferencës së Donatorëve. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësja e KE, Dana Spinant.
“Të hënën Presidentja do të takohet me Presidentin e Këshillit Charles Michel para se të dy të drejtohen për tek ndërtesa Charlemagne e Komisionit për konferencën ndërkombëtare të donatorëve «Sëbashku për Shqipërinë. Kjo konferencë organizohet nga Presidentja von der Leyen dhe Komisioni dhe ka për qëllim të mbështesë përpjekjet për rindërtimin në Shqipëri pas tërmetit që e goditi në mënyrë shkatërruese vendin më 26 Nëntor.
Në orën 14 :15 Presidentja von der Leyen dhe Kryeministri shqiptar Edi Rama do të nënshkruajnë programin e financuar nga BE. Mbështetje për Shqipërinë në rindërtimin dhe rihabilitimin pas tërmetit me një vlerë prej 15 milionë eurosh.
Pas kësaj Presidentja do të çelë konferencën në orën 14:30 së bashku me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe me Presidentin e Këshillit Charles Michel. Komisioneri për fqinjësinë dhe zgjerimin Oliver Varrhelyi do të çelë dhe do të mbyllë pjesën e zotimeve të konferencës ndërsa Komisioneri për menaxhimin e krizave Janez Lenarcic do të paraqesë përgjigjen e emergjencës nga ana e BE-së si dhe vlerësimin e nevojave pas fatkeqësisë që është përpiluar. Në fund të konferencës, Presidentja do të mbajë një konferencër për shtyp me Edi Ramën Kryeministrin e Shqipërisë në këndin VIP”, është shprehur Dana Spinant, zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Dëmet
Ndërkohë në raportin e udhëhequr nga Banka Botërore për dëmet e shkaktuara përllogaritet që fatura të jetë 1 miliard euro për të gjitha dëmet e shkaktuara në 11 bashkitë e prekura.
Bashkia më e prekur cilësohet Durrësi, ku sipas raportit për dëmet, do t’i nevojiten rreth 310 milionë euro për rindërtimin. Ndërsa Tirana, që vjen e dyta konsiderohet se ka nevojë për ndërtimin për një shumë prej 303 milionë euro. Më pas bashkia e tretë më e dëmtuar vjen Kruja, dhe më pas Kavaja, Shijaku dhe Vora.
Në total, përllogaritet se do të nevojiten 802 milionë euro vetëm për rindërtimin dhe riparimin e banesave të dëmtuara nga lëkundja e fortë. Kurse rreth 94 milionë euro përllogaritet se nevojiten për dëmet e shkaktuara në infrastrukturën arsimore.
Tërmeti i 26 nëntorit 2019, me magnitudë 6.4 shkaktoi dëmtim të infrastrukturës publike dhe private, duke lënë mijëra familje pa strehim ndërsa 51 persona humbën jetën kurse rreth 1 mijë të tjerë u plagosën.