Një pallat gjashtëkatësh në Durrës, në pronësi të Pëllumb Tudës, u konfiskua mëngjesin e kësaj të mërkure nga forcat e policisë. Ky veprim erdhi pas një vendimi gjyqësor dy vjet më parë, ku Gjykata kishte vendosur konfiskimin e pasurisë për shkak të përfshirjes së Tudës në veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Shfrytëzim prostitucioni.” Sipas autoriteteve ligjzbatuese, prona dyshohet se është ndërtuar me fonde të siguruara nga aktiviteti i tij kriminal.
Megjithatë, familjarët e Tudës kundërshtojnë këtë vendim, duke pretenduar se tre katet e fundit të pallatit janë ndërtuar me paratë e fituara nga puna e tyre në emigracion.
“I kam bo shtëpitë me djersën e ballit. Kanë punu 30 vjet që i kemi bo. I kemi ndërtuar duke shkuar e ardhur nga jashtë”, tha Bajame Tuda, e ëma e Pëllumb Tudës.
Ndërkohë, avokatët e rreth 20 familjeve që banojnë në tri katet e pallatit theksojnë se policia po përpiqet të nxjerrë nga pronat familje me persona të moshuar dhe të sëmurë.
“Nuk ndodh në asnjë vend të botës që policia të kërkojë të nxjerrë nga shtëpitë e tyre njerëz, kur 60-70% e tyre ndodhen jashtë Shqipërisë. Këta njerëz kanë investuar kapitalet, gjakun dhe djersën e viteve të tyre në emigrim. Gjithashtu, nuk është e drejtë që të zbatohet një ekzekutim titulli gjyqësor për konfiskimin e pasurive të atyre që nuk janë pjesë e procesit civil të hetimit dhe sekuestrimit”, deklaroi avokati Baftjar Rusi.
Familjet që jetojnë në këtë godinë janë kryesisht të afërm të Pëllumb Tudës dhe nuk disponojnë certifikatë pronësie, pasi apartamentet janë në proces legalizimi.
Vendimi për konfiskimin e hotelit “Colombo,” me vlerë rreth 1 milion euro, u mor në vitin 2022 nga Gjykata e Durrësit dhe më pas u konfirmua nga Gjykata e Apelit. Aktualisht, çështja pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë.
LEXONI GJITHASHTU:
- Konfiskohet hoteli luksoz i trafikantit të drogës në Durrës
- Emërohet Kryeadministratorja e re e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara