Prej dy vitesh Gjykata Kushtetuese ka mbetur me 1 anëtar, pas largimeve të njëpasnjëshme të gjyqtarëve nga vetingu. Edhe anëtares së vetme, që ia doli procesit të rivlerësimit, Vitore Tusha, i ka mbaruar mandati. Pas shpalljeve të vakancave, në vjeshtën e vitit të kaluar situata u duk sikur po shkonte drejt zgjidhjes, pasi presidenti emëroi Besnik Muçin si anëtarin e parë të tij, dhe po përgatitej të emëronte anëtarin e dytë, nga dy listat që i ishin dorëzuar në të njëjtën ditë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Pak ditë më vonë, Besnik Muçi u shkarkua nga organet e vetingut.
Gjashtë ditë pasi i kishte dërguar listat presidentit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i dërgon edhe Kuvendit 2 lista të tjera që deputetët të plotësonin 2 vakanca në Gjykatën Kushtetuese. Afati i Presidentin dhe Kuvendit për të zgjedhur një emër nga listat, sipas ligjit është 30 ditë.
Pasi zgjodhi Besnik Muçin, Presidenti i bëri thirrje Kuvendit të zgjidhte një anëtar nga listat që dispononte, duke iu referuar Kushtetutës, e cila përcakton se radha e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese fillon me Presidentin, më pas vazhdon me Kuvendin dhe pastaj me Gjykatën e Lartë. Kjo radhë respektohet deri sa të plotësohen të gjitha vakancat.
Mirëpo, parlamenti mori gjithë kohën 30-ditore për t’u menduar. Duke pritur radhën e Kuvendit për të përzgjedhur një anëtar, afati 30-ditor i presidentit për të përzgjedhur anëtarin e dytë të tij skadoi. Sipas ligjit, nëse presidenti nuk shprehet brenda 30 ditëve, anëtari i renditur i pari nga KED, shpallet automatikisht i emëruar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Mandatin e mori Arta Vorpsi.
Fill pas skadimit të afatit të presidentit, Kuvendi zgjodhi brenda një seance 2 anëtarët e tij, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.
Kjo procedurë u quajt e paligjshme nga Meta, i cili akuzoi kreun e KED, Ardian Dvoranin se i kishte marrë kompetencat presidentit duke i ngritur atij padi në SPAK. Sipas Metës, Dvorani ia kishte dërguar qëllimisht kuvendit listat 6 ditë me vonesë, që të pamundësonte presidentin të zgjidhte anëtarin që kreu i shtetit donte.
Sipas Metës, kjo taktikë do të përdorej që presidentit t’i skadonte afati më shpejt dhe të ishte i detyruar të zgjidhte një nga 3 emrat që donte mazhoranca, ndërsa emri që vetë Meta donte, renditej i katërti, dhe bëhej fjalë për Marsida Xhaferllarin.
Duke mos e përtypur dot këtë lojë të mazhorancës dhe kreut të KED, Ilir Meta zgjodhi në mënyrë të njëanshme Marsida Xhaferllari, edhe pse ishte e katërta në listë dhe pasi kishte skaduar afati 30-ditor. Meta nuk pranoi të organizonte ceremoninë e betimit të Arta Vorpsit, ndërsa e organizoi atë për zonjën Xhaferllari.
Argumenti i kreut të shtetit për afatin 30-ditor ishte se Kushtetuta nuk i vendos afat presidentit për të përzgjedhur, ndërsa argumenti për të justifikuar përzgjedhjen e numri 4 në listë, kur duhet të përzgjidhte vetëm 1 nga 3 të parët, ishte se në momentin kur Presidenti zgjodhi, parlamenti i kishte bërë zgjedhjet e veta dhe kështu Marsida Xhaferllari ishte ngritur në renditjen e listës.
Pas kësaj zgjedhjeje, Meta nisi një sulm frontal ndaj mazhorancës, ku ngriti padi edhe ndaj ministres së Drejtësisë, Etilda Gjoni për shpërdorim detyre.
E gjendur në këtë situatë, mazhoranca ndërmori një tjetër veprim që nervozoi sërish presidentin. Shumica socialiste votoi në Kuvend një ligj sipas të cilit betimi tek presidenti i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të ndodhte brenda 10 ditëve nga emërimi i tyre, në të kundërt, nëse presidenti do të refuzonte, siç ndodhi me Arta Vorpsin, betimi do të kryhej me shkrim.
Kjo përplasje mes Presidentit të Republikës dhe mazhorancës qeverisëse pritet të marrë një zgjidhje nga opinioni i Komisionit te Venecias.