Tashmë vetëm orët e ndajnë Kosovën nga mbledhja konstituive e legjislaturës së shtatë të Kuvendit.
Kjo pasi, ora 15:00 e së enjtes së 26 dhjetorit është koha e caktuar për nisjen e kësaj mbledhjeje.
Sipas Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi, deri në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, mbledhja duhet të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe më i ri, nën shoqërinë e sekretarit të përhershëm të Kuvendit.
Në këtë rast të dy do jenë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, 71-vjeçari Jahja Kokaj dhe 22-vjeçarja Fjolla Ujkani.
Pas hapjes së saj, mbledhja konstituive do të ketë në rend dite tri pika,
- Zgjedhjen e komisionit për verifikimin e mandatit,
Që përcillet me:
- Dhënien e betimit të deputetëve të legjislaturës së re.
Ndërsa pika e tretë, pas së cilës Kuvendi cilësohet i konstituar përmban:
- a) Zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. b) Zgjedhjen e nënkryetarëve – një nga secila prej tri partive të para dhe c.) zgjedhjen e dy nënkryetarëve nga partitë e komunitetit pakicë.
Përmbushja e këtyre pikave përmbyll konstituimin e legjislaturës së re, të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit.
Megjithatë, në rast se nuk ka marrëveshje finale për koalicion ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbledhja mund të ndërpritet për t’u vazhduar në një ditë tjetër, në afat të pacaktuar, pas dhënies së betimit nga deputetët e ri.
E nëse këto parti finalizojnë marrëveshjen para kësaj mbledhjeje dhe bëhet konstituimi i Kuvendit, kryesia e re e Kuvendit mund të caktojë mbledhje të re për votimin e kryeministrit dhe qeverisë brenda asaj dite.