Pasi Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka vendosur të nisë hetimet për kontratën koncesionare lidhur me sterilizimin e pajisjeve mjekësore, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se kontrata ka pësuar ndryshime.
Ndryshimet janë kryer javët e para të janarit, tha ministrja, e cila nuk sqaroi nëse ka pasur kundërshtime nga kompania koncesionare për këtë ndryshim të papritur. Me anë të një prononcimi për mediat, ministrja Ogerta Manastirliu pohoi se janë reduktuar pagesat e 64 mijë ndërhyrjeve për të gjithë kompleksitetet e ulëta, të mesme dhe ato të larta.
“Një amendim i kësaj kontrate koncesionare ka ndodhur pikërisht në javën e dytë të këtij muaji, pra të muajit janar, duke reduktuar pagesat e mbi 64 mijë ndërhyrjeve për të gjithë kompleksitetet e mesme, të ulëta dhe të larta”- theksoi ministrja Manastirliu.
Historiku i koncesionit në shëndetësi dhe dyshimet për korrupsion
Në vitin 2015 qeveria vendosi që shërbimi i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale të mos ofrohej nga vetë spitalet, por të kalohej me koncension. Kështu me datë 10 dhjetor 2015, Ministria e Shëndetësisë, ka lidhur një kontratë koncesionare 10-vjecare me kompaninë “Sani Service”.
Kontrata ishte planifikuar të zgjaste për një periudhë 10-vjeçare, me një vlerë fillestare të parashikuar prej 9.6 miliardë lekësh.
Por, në vitin 2018, shpenzimet për shërbimet e sterilizimit të personalizuar të pajisjeve kirurgjikale të kryera nga partneriteti publik-privat ishin 2 miliardë lekë, ose 28.3 për qind më shumë se plani prej 1 miliard e 560 milionë lekësh, që ishte programuar në buxhetin e vitit 2018.
Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë ngriti një grup pune në datë 25 shkurt 2019 me mjekë specialistë për rishikimin e seteve kirurgjikale.
E gjitha kjo me qëllim uljen e numrit e mjeteve kirurgjikale në çdo set dhe në këtë mënyrë ulej edhe të kostot financiare.
Nga ana tjetër në dhjetor të vitit 2019, nisma “Thurje” bëri një kallëzim penal për zyrtarët publik të përfshirë në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, të cilët mund të kenë abuzuar me to.