Një qendër studimore në Korenë e Veriut pretendon se ka zhvilluar një antivirus që mund të përdoret për një gamë të gjerë sëmundjesh.
Në një video të ofruar nga agjencia e lajmeve “KCNA”, që për momentin nuk mund të verifikohet, studiuesit e degës së bio-inxhinierisë në Akademinë Shtetërore të Shkencave shihen teksa punojnë në një laborator, në tryezën e të cilit ndodhen kuti me injeksionin.
KCNA nuk i bëri një referim direkt coronavirusit, por shkencëtarët e cituar prej saj thanë se injeksioni mund t’u bëjë ballë të gjitha sëmundjeve virale.
“Ne kemi përgatitur një injeksion antiviral gjithëpërfshirës, shumë i fuqishëm e që mund të aplikohet në fusha të ndryshme mjekimi. Ky ilaç i ri është efikas edhe ndaj sëmundjeve virale që po përhapen aktualisht”, tha Kim Uon Tae, Akademia e Shkencave, Kore e Veriut.
Koreja e Veriut nuk ka konfirmuar ende ndonjë rast të infektimit nga COVID-19, por mediat shtetërore kanë njoftuar se personat që shfaqin simptomat do të vendosen në karantinë për një muaj, ndërsa masa të tjera kufizuese do të vendosen në kufij, aeroporte dhe porte detare.