Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është shprehur se korrupsioni është kthyer në një gangrenë për ekonominë dhe në kontribuuesin kryesor për varfërinë e shqiptarëve.
Komentet Basha i bëri në një tryezë diskutimi për programin ekonomik të PD me ekspertë të fushës.
Basha tha gjithashtu se programi i PD sjell një tjetër kulturë politike që nxit mirëqenien e shqiptarëve.
“Synimi është një dhe vetëm një, asnjë pjesë e programit dhe ofertës tonë të mos mbetet në hije, asgjë të mos i mbetet rastësisë. Një kulturë e re politike kërkon që oferta e çdo formacioni politik të jetë transparente.
Oferta e çdo partie politike që mëton të qeverisë nesër vendin siç është Partia Demokratike e Shqipërisë, të mos jetë një pusi për elektoratin, për votuesin, por të kenë shansin të njihen me të, ta debatojnë atë, ku është e mundur dhe e nevojshme pse jo ta përmirësojnë atë. Zonja dhe zotërinj, ekonomia shqiptare vuan në një lëngatë të shumëfishtë.
Vuan nga njëra anë për shkak të korrupsionit galopant, një sëmundje shoqëruese e tranzicionit shqiptar, por që nuk ka pasur kurrë nivele të tilla si në këtë dekadë dhe në këtë mënyrë është kthyer jo thjesht një pengesë, por një gangrenë për rritjen ekonomike, është kthyer në kontribuesin kryesor për mosmirëqenien e shqiptarëve, për varfërinë e tyre, për ankthin që ka kapluar si faktorët ekonomik ashtu edhe tregun e punës, që i është përcjell familjes shqiptare, i është përcjellë në veçanti rinisë shqiptare me pasojat të rënda, mpakjen e vendit, shpopullimin e vendit”, është shprehur Basha.