Me prezencën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Richard Grenell dhe dy Presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, nivelet teknike të Kosovës dhe Serbisë nënshkruan këtë të premte në Mynih të Gjermanisë dy marrëveshje, njëra për hekurudhën dhe tjetra për autostradën.
Por, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi paralajmëroi edhe një marrëveshje të madhe, e cila siç tha ai, mund të nënshkruhet gjatë këtij viti. Bëhet fjalë për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.
“Kosova beson në Presidentin Trump dhe ambasadorin Grenell dhe gjatë këtij viti mund të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi”, tha Thaçi.
[twitter_feed=https://twitter.com/HashimThaciRKS/status/1228244720796815366]
Letrat për shprehje të interesit u nënshkruan nga Ramë Qupeva, Drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore dhe Xhemë Veseli, Drejtor i Departamentit të Transportit Rrugor në Kosovë, ndërsa Marko Gjuriç, Drejtor i Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë nënshkroi për shtetin e tij.
“Edhe një arritje e rëndësishme në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sot, në Munih, u nënshkrua marrëveshja për hekurudhat dhe autostradat, e cila do ta lehtësojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave ndërmjet dy shteteve. Kjo marrëveshje është një hap tjetër drejt arritjes së marrëveshjes finale historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke dhe anëtarësim në OKB. Faleminderit presidentit Trump për lidershipin dhe ambasadorit Grenell për përkushtimin maksimal për ta çuar këtë proces përpara.”-shkruan Presidenti Thaçi në rrjetin social “Facebook”.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka falënderuar shefin e Shtëpisë së Bardhë Donald Trump si dhe të dërguarin për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell. Kreu i shtetit të Serbisë pranoi se nuk ka qenë aspak i lehtë procesi i negocimit me Prishtinën, por tha se marrëveshja e sotme e firmosur në Gjermani do të krijojë paqe në dekadat e ardhshme për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Nuk është diçka që lidhet me politikën. Nuk ishte e lehtë të negociosh me Prishtinën, por unë jam shumë i lumtur që shoh përparimin sot. Faleminderit përsëri, Grenell dhe Presidenti Trump për këto nisma që përfaqësojnë rrugën e vetme për Serbinë. Të gjithë do të jemi shumë më mirë. Ne do të jemi në gjendje të stabilizojmë rajonin dhe të sigurojmë paqe për dekadat në vazhdim për banorët e tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Vuçiç.
I dërguari i posaçëm i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka reaguar pas firmosje së marrëveshjes në Mynih të Gjermanisë për hekurudhën dhe autostradën.
Me anë të një postimi në “Twitter”, Richard Grenell thekson se arritja e marrëveshjes është bërë falë direktivave të qarta të kreut të Shtëpisë së Bardhë.
“Falë direktivave të qarta të Presidentit Trump, ne kemi nënshkruar tri marrëveshjeve ekonomike për katër muaj. Një për udhëtimin ajror, një për hekurudha dhe një për autostrada”-shkruan ai.
[twitter_feed=https://twitter.com/RichardGrenell/status/1228285335416844288]