English

Kosova feston sot 12-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Janë bërë 12 vjet që kur Kosova, shteti më i ri në Evropë, shpalli pavarësinë nga Serbia duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor. 

- Advertisement -

Më 17 shkurt 2008, deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës shpallën vendin shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ky akt u kontestua nga Serbia e cila kërkoi edhe vlerësimin e ligjshmërisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Në korrik të vitit 2010 kjo gjykatë konstatoi se Deklarata e Kosovës për Pavarësi nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Nga viti 1999 kur edhe Kosova u çlirua nga Serbia deri në shpalljen e Pavarësisë, vendi u administrua nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK, ndërsa pati paralelisht institucionet e saj demokratike – Kuvendin, Presidentin dhe Qeverinë. 

Në një ceremoni të veçantë dhe në prani të Kryeministrit, Albin Kurti dhe Kryetares së Parlamentit, Vjosa Osmani, mëngjesin e sotëm është ngritur flamuri i Kosovës në ndërtesën e qeverisë.

Gjatë ditës së sotme janë parashikuar aktivitete të shumta me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë, përshirë vendosjen e kurorave në memorialin e Adem Jasharit. Ndërsa në mesditë në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seancë solemne.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale shpreh nderim për të rënët në luftën për pavarësi. “Urime ditën e bekuar të Pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i atyre që dhanë jetën për këtë ditë”, shkruan z. Rama.

Presidenti, Ilir Meta i ka dërguar një letër me këtë rast homologut të tij, Hashim Thacci, ku i uron 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Z. Meta thekson në mesazhin e tij se, bashkë me konsolidimin e shtetit, pret thellimin e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë.

“Kosova ka hyrë tashmë në dekadën e dytë të saj si shtet i pavarur dhe sovran, me një demokraci edhe më të gjallë e dinamike. Kjo etapë e re e konsolidimit të shtetit të Kosovës jam i sigurt se do të shoqërohet me një hov të ri edhe në marrëdhëniet vllazërore dhe bashkëpunimin ndërmjet nesh, në përçim të vlerave më të mira kombëtare dhe europiane”, shprehet Presidenti i Shqipërisë.

Ndërsa ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një postimi në Facebook shkruan: “Të dua pafundësisht Kosova ime! Je ndërgjegjja më e lartë e kombit e ëndrra më frymëzuese që nuk shuhet kurrë! T’i gëzosh vitet e mëvetësisë për jetë e mot!”

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?