Qeveria e Kosovës pranon të paguajë 21 mln euro një kompani amerikane, e cila do të ndërtonte një termocentral. Për kryeministrin Kurti, projekti i dhënë në vitin 2017, ishte i padobishëm për vendin.
Një kompani private ka fituar gjyqin në Arbitrazh me Kosovën. 21 milionë euro është fatura që shteti ka pranuar të japë për firmën Contour Global, pasi kjo e fundit, ngriti padi në lidhje me projektin për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’, kontratë kjo që ishte nënshkruar në vitin 2017.
Qeveria e Kosovës e anuloi kontratën, duke e cilësuar projektin të padobishëm për vendin që kur ishte planifikuar 8 vite më parë.
Ky projekt as s’ka qenë i ideuar të realizohet, as s’ka qenë në përmbajtje i dobishëm për vendin tonë. Fatkeqësisht, ndërprerja e qeverisë tonë në pranverën e vitit 2020 dhe ardhja e një qeverie antikushtetuese la zbrazëti për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’u siguruar se Kosova të mos kishte pasoja të mëdha. Me gjithë pasojat, është shumë më mire që projekti i tillë nuk është realizuar sepse një mbrapshti e tillë nuk ka vazhduar, por ka përfunduar”, tha Kurti.
Në fund të vitit 2017, ‘ContourGlobal’ kishte nënshkruar marrëveshje me Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj , për ndërtimin e termocentralit me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.
Pas zvarritjes së kontratës dhe kundërshtimit nga ambientalistët, kompania amerikane u tërhoq nga ndërtimi i termocentralit në muajin mars të vitit 2020 dhe disa ditë më vonë njoftoi se e ka dërguar Kosovën në Tribunalin e Arbitrazhit për mosrespektim të kontratës.