Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç sot pritet të vizitojë veriun e Kosovës.
Sipas agjencisë së lajmeve “Kosova Press”, Marko Gjuriç do të marrë pjesë në djegien e pemëve për Krishtlindje në Kishën e “Shën Dimitrit”. Duke cituar Ministrinë e Punëve të Jashtme, mediat kosovare kanë raportuar se Gjuriç ka qenë i rregullt në parashtrimin e kërkesës për vizitë, e cila edhe i është aprovuar.
Ndërkohë në Gjakovë është paralajmëruar protestë nga familjarë të personave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, kundër vizitës së pelegrinëve serbë që pritet të vizitojnë Kishën Ortodokse.
Kujtojmë se në vitin 2018, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, u arrestua nga Policia e Kosovës pasi shkeli territorin e kësaj të fundit pa marrë leje pranë autoriteteve.