Institucionet e Kosovës u kanë ndaluar sot hyrjen në Kosovë dy shtetasve serbë Dimitrije Markoviç dhe Nenad Jeremiç për shkak të aktivitetit të tyre kundër sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të vendit.
Markoviç dhe Jeremiç njihen për elemente pro-ruse, ndërsa duke përdorur mbulesën e aktiviteteve humanitare, në vazhdimësi kanë përhapur propagandë kundër Kosovës, duke nxitur urrejtje ndëretnike, me qëllim të dëmtimit të imazhit të vendit dhe paraqitjes jo të drejtë të gjendjes së komunitetit serbë në Kosovë, shkruan KosovaPress.
Në korrik të këtij viti, BE kishte tërhequr vëmendjen për rritjen e rrezikut nga grupet e ekstremit të djathtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Njëri nga të ndaluarit, në vazhdimësi ka qenë shoqërues dhe anëtar i organizatës së ekstremit të djathtë “Fronti i Solidaritetit Evropian për Kosovën – ESFK” gjatë vizitave të tyre në Kosovë, në përbërje të shtetasve çekë, gjermanë, etj. Kjo organizatë promovon ndjenjat antiperëndimore, ndërsa mbështetë lidhjet e ngushta me Rusinë.
ESFK u klasifikua në mesin e lëvizjeve ekstremiste të krahut të djathtë në “Raportin mbi ekstremizmin në territorin e Republikës Çeke”, të publikuar në vitin 2013 nga Ministria e Brendshme e Republikës Çeke.
Në vitin 2019, organet e sigurisë së Republikës së Kosovës, kishin ndaluar tetë anëtarë të kësaj organizate, të cilët kishin planifikuar ngritjen e një droni mbi stadiumin “Fadil Vokrri” me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
LEXONI GJITHASHTU:
- “Provokim për popullin”, serbët në Veri reagojnë për vizitën e Osmanit në Mitrovicë
- FOTO/ ‘Nuk i druhemi asgjëje’, Bërnabiç mbërrin në Mitrovicë, pritet nga serbët