Nga të gjithë të dyshuarit që u janë nënshtruar kontrolleve dhe analizave në Prishtinë nën dyshimin se mund të jenë të prekur nga coronavirusi COVID-19, asnjë prej tyre nuk ka rezultuar pozitiv, dhe përgjegjësit e shëndetësisë publike në Kosovë kanë deklaruar se nuk ka vend për panik.
Klinika Infektive në Prishtinë ndërkohë ka vënë në dispozicion 22 shtretër për pacientët që u nënshtrohen ekzaminimeve për COVID-19.
“Ne kemi izoluar një repart të caktuar, një repart të tërë për këta pacientë dhe këta nuk kanë kontakt me të sëmurët e tjerë. Portën hyrëse e kanë të veçantë, pajisjet që përdorën janë të veçanta, gjithçka është në kuadër të masave që rekomandohen për t’i izoluar këta pacientë deri në momentin kur konfirmohet nëse janë të prekur nga coronavirusi”, u shpreh infektologu.
Infektologu Valbon Krasniqi shtoi se planifikimet i kanë bërë me kohë pranë organeve përgjegjëse lidhur me pajisjen me masa mbrojtëse, në rast se paraqitet fluks i madh i pacientëve.
“Ne i kemi në dispozicion afër 120 shtretër në Klinikën Infektive, tani për tani i kemi paraparë që një repart mjafton të izolohet në rast se paraqitet një numër më i madh e lirojmë edhe një repart tjetër, por në rast se veç paraqitet numër i madh ne mund të lirojmë të gjithë klinikën por normalisht pacientët pastaj do të marrin shërbime nëpër reparte të tjera”, tha ai.
Krasniqi thotë se nuk ka vend për panik, derisa shton se kanë përvoja në menaxhimin e situatave të tilla duke kujtuar kohën kur ishte përhapur gripi i derrit dhe ethet hemorragjike. Ai thotë se është e rëndësishme që të gjithë personat që kanë simptoma të gripit dhe të cilët eventualisht kanë histori të udhëtimit në vendet ku është konfirmuar prezenca e koronavirusit, të paraqitën në klinikë.