Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në nderim të jetës dhe veprës së artistes së madhe, Nexhmije Pagarusha, ka vendosur që 9 shkurtin ta shpallë si ditë zie shtetërore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Kreu i Shtetit të Kosovës ka marrë këtë vendim në shenjë nderimi e respekti për ikonën e muzikës shqiptare, e cila me punën e saj i dha vlera të patjetërsueshme kulturës dhe artit tonë kombëtar.
Sipas njoftimit të Presidencës, në pajtim me legjislacionin në fuqi, në ditën e zisë, flamuri shtetëror ulet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
Njoftimi i Presidencës së Kosovës
“Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në nderim të jetës dhe veprës së artistes së madhe, Nexhmije Pagarusha, ka vendosur që ditën e varrimit të saj, 9 shkurt 2020, ta shpall ditë zie shtetërore në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Presidenti Thaçi e ka marrë këtë vendim në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për artisten Nexhmije Pagarusha, e cila i dha vlera të përjetshme kulturës dhe artit tonë kombëtar. Në pajtim me legjislacionin në fuqi, në ditën e zisë, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit”.
Këngëtarja Nexhmije Pagarusha ndërroi jetë ditën e premte në moshën 86-vjeçare. Ajo vuante nga një sëmundje e rëndë. Lajmi i trishtë për ndarjen e saj nga jeta preku çdo zemër shqiptari, të cilët janë lindur e rritur me zërin melodioz të “Bilbilit të Kosovës”
Ajo ishte e njohur për interpretimet e jashtëzakonshme në muzikën popullore dhe opera. Këngëtarja tashmë e ndjerë, Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër. Ajo vijoi shkollën e muzikës për solo kanto në Beograd, të cilën e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më.
Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë, ndërsa në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë. Nexhmije Pagarusha bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.
“Baresha” është një ndër kryeveprat e këngëtares, e cila bëri për vete shumë zemra shqiptarësh. Kjo këngë, e konsideruar si kryevepra e Pagarushës u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj. Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit.
Nexhmije Pagarusha do të përcillet sot për në banesën e fundit në fshatin e lindjes në Pagarushë sipas amanetit të saj, ndërsa ceremonia e varrimit do të jetë familjare.
Ndërron jetë në moshën 86-vjeçare këngëtarja Nexhmije Pagarusha