Kryetari i Shoqatës së Re të Naftëtarëve të Shqipërisë, z. Kostandin Kina i ftuar në emisionin “Euronews Now”, ka folur për situatën që është krijuar prej më shumë se një jave, me grevën e naftëtarëve në Ballsh.
Ai u shpreh për “Euronews Albania” se kjo situatë është krijuar për shkak të një sërë problemesh të mbartura, të cilat duhen zgjidhur sa më parë.
“Nuk është rastësi që punonjësit e rafinerisë futen në grevë urie për të kërkuar të drejtat e tyre.
Ne si sindikatë e naftëtarëve, përfaqësojmë industrinë nxjerrëse të naftës dhe të gazit dhe solidarizohemi me këta të industrisë përpunuese”, është shprehur ai.
Z. Kina u shpreh se shoqata solidarizohet me naftëtarët dhe u bën thirrje që ata t’i vazhdojnë protestat për të kërkuar të drejtat e tyre.
“Informacionet për grevën e naftëtarëve ne i kemi marrë, jemi në dijeni, por ky problem nuk është se u hap sot. Ky problem është vazhdë e privatizimeve, ose më saktë privatizimit që iu bë kësaj uzine”, u shpreh Kryetari i Shoqatës së Re të Naftëtarëve të Shqipërisë, për Euronews Albania.
Sipas z. Kino privatizimi ka qenë një zgjidhje shumë e gabuar dhe në jo në favor të naftëtarëve.
“Qeveritë e kaluara e privatizuan këtë. U privatizua jo me çmimin e duhur. 120 milionë euro pra, nën kosto dhe punonjësit e stacionit të pompimit në Poçem në asnjë mënyrë nuk duhet të kishin kaluar në privatizim sepse ata i japin ujë dhe qytetit dhe nuk lidhej vetëm me rafinerinë”, tha ai.
Z. Kino gjithashtu ka folur edhe për pjesën e pagave të prapambetura, duke u shprehur se privatizimi dhe qiramarrësit janë fajtorët.
“ARMO vetë ka funksionuar gabim. Fillimisht e ka privatizuar Taçi, iku Taçi e morën Azerët dhe Azerët ia kanë dhënë qiramarrësve. Qiramarrësit nuk kanë qenë korrekt. Sot që flasim ne qiramarrësit nuk janë bërë të gjallë”, tha ai për emisionin “Euronews Now”.