Papa Françesk mbajti Meshën e Të Enjtes së Shenjtë në Bazilikën e boshatisur të Shën Pjetrit, duke falënderuar veçanërisht doktorët, infermierët dhe priftërinjtë që po rrezikojnë jetët e tyre duke i shërbyer të prekurve me coronavirus, ashtu “siç kanë bërë edhe shenjtët” në të kaluarën.
Mesha, e cila përkujton edhe “Darkën e fundit” të Jezusit me apostuj e tij, një natë përpara kryqëzimit të tij, zakonisht ndiqet drejtpërsëdrejti në Bazilikë nga rreth 10 mijë vetë, përfshi kardinalë, priftërinj dhe besimtarë katolikë.
Por këtë vit, për shkak të kufizimeve të vendosura nga përhapja e pandemisë COVID-19, Mesha e mbajtur nga Papa Françesk u ndoq vetëm nga një numër i vogël priftërinjsh dhe kori i Vatikanit, të cilët iu përmbajtën distancimit social, në Kishën më të Madhe të Katolicizmit në mbarë globin. Mesha u transmetua drejtpërsëdrejti në internet dhe në televizionet e ndryshme në mbarë botën.
Edhe rituali tradicional i larjes së këmbëve, që përkujton gjestin e përulur të Jezusit kundrejt apostujve të tij nuk u zhvillua për shkak të COVID-19. Në meshën e improvizuar , Papa Françesk falënderoi të gjithë ata, përfshi priftërinjtë, të cilët po ndihmojnë të prekurit më coronavirus.
“Nuk mund ta mbaj këtë Meshë pa përkujtuar të gjithë priftërinjtë qe ofrojnë jetët e tyre në shërbim të Zotit. Këto kohë këtu në Itali kanë humbur jetën mbi 60 persona, teksa janë përkujdesur për të sëmurët në spitale. Së bashku me doktorët dhe infermierët, ata janë të shenjtë. Priftërinjtë, që duke shërbyer kanë sakrifikuar jetët e tyre.”
Më shumë se 18 mijë persona kanë humbur jetën në Itali nga korona-virusi, vendi me më shumë viktima në Botë. Numri i të infektuarve ka arritur në 143 mijë. Java e shenjtë e pashkëve, e cila filloi të dielën që shkoi dhe do të mbyllet këtë të diel, është kremtuar në të gjithë kishat nëpër botë por pa praninë e publikut.