Kryetari i PD së Librazhdit Bujar Vreto thotë se marrëveshja mes PD dhe PL të drejtuar nga Ilir Meta është jashtë çdo morali politik.
Në një intervistë për Euronews Albania, ai u shpreh se çdo demokrat e ka shumë të qartë se Meta me veprimet e tij politike në vite ka çimentuar pushtetin e Edi Ramës.
“Ata që çfarë nuk kanë thënë për njëri tjetrin e gjejnë një gjuhë, por çfarë do t’i thonë popullit këta? A ju kujtohet viti 2000 kur do futeshim në Vlorë me Berishën, Meta ishte kryeministër. Jemi dhunuar dhe persekutuar nga policia e Ilir Metës, kam qenë i shtruar 2 javë në spital se policia e Edmond Kosenit më ka dhunuar dhe kam brinjë te krisura. Si do e harrojnë demokratët bllokun e Ilir Metës? Si do e harrojnë demokratët tradhtinë që ndodhi nga Meta. Si ka mundësi që në 2013 me një ngjalë, Meta iku tek Rama? Meta miratoi reformën territoriale, më e keqja për popullin shqiptar. Miratoi 8 ligjet e reformës në drejtësi që sot është në dorën e Ramës. Meta i ka shërbyer me një devotshmëri të jashtëzakonshme Ramës, duke i dhënë gjithë pushtetin”, tha ai.
LEXONI GJITHASHTU:
- Marrëveshja PD-PL e paqartë, thotë gazetari
- Burimi: Meta kërkon të drejtojë PL-PD, kur Berisha të mos ketë aftësi fizike