Kosova përkujton sot 45 viktimat e masakrës së Reçakut, të vrarë mizorisht nga forcat serbe me 15 janar të vitit 1999.
Kjo ngjarje ndër më tragjiket e luftës në Kosovë shënon momentin e nxitjes së reagimit nga komuniteti ndërkombëtar, pas deklaratës së ambasadorit të atëhershëm të OSBE-së, William Walker, i cili nga vendi i ngjarjes e cilësoi si “krim kundër njerëzimit”.
Walker, përmendorja e të cilit është ngritur në Reçak, edhe sot do të vizitojë të mbijetuarit.
Shteti serb vazhdimisht refuzon krimet duke pretenduar se viktimat ishin ushtarë të armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fshati që mbahet mend për Luginën e vdekjes, do të presë sot krerët e lartë shtetëror, zyrtarë vendor e ndërkombëtarë, ndërsa vizitë në nderim të viktimave ka paralajmëruar edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Ilva Now” në Euronews Albania, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se ai nuk i ka mohuar kurrë krimet e luftës, ku shtoi se Serbia ka dënuar shumë kriminelë lufte. Ai u pyet nëse mund të ketë bashkëpunim të vërtetë mes vendeve të Ballkanit përpara se të kemi pajtim dhe paqe?
“Sepse ju ende i mohoni krimet e luftës në Kosovë,” e pyeti Tare presidentin Vuçiç duke i kujtuar deklaratën e tij të fundit për masakrën e Reçakut, të cilën e cilësoi si një ngjarje të fabrikuar nga ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker. Presidenti serb vazhdoi përgjigjen e tij duke theksuar këndvështrimet e ndryshme, të cilat qenë të zakonshme për pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë.
“Kjo është saktësisht arsyeja pse ne duhet të përballemi me këtë problem dhe përse kemi nevojë të krijojmë lidhje dhe marrëdhënie më të mira mes nesh. Ju nuk mund t’i detyroni serbët të pranojnë të gjitha këndvështrimet dhe idetë tuaja,” tha presidenti serb z.Aleksandër Vuçiç.