Për Prokurorinë e Përgjithshme dhe titullarin e këtij institucioni, Olsian Çela është plotësisht e mundur që krimet zgjedhore me ligj të kalojnë nën juridiksionin e SPAK-ut.
Në përgjigjen kthyer Komisionit të Reformës Zgjedhore, në lidhje me propozimet e saj për ndryshimet ligjore që prekin prokurorinë, për të bërë të mundur hetimin e krimeve zgjedhore, prokurori i përgjithshëm shprehet dakord që në nenin për krimet zgjedhore të përfshihen edhe veprat e korrupsionit aktiv dhe pasiv.
Megjithatë kërkesa që këto krime t’i hetojë SPAK duhet riformuluar.
“Fraza “dhe 319/e, zëvendësohet me frazën “, 319/e, 328 dhe 328/b”, duke shtuar nenin 328 “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe nenin 328/b “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” në kompetencë lëndore të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, shprehemi dakord me shtesat tha Çela.
Ndërsa për të gjitha propozimet e tjera të Komisionit, kryeprokurori Olsian Çela pretendon se ato nuk gjejnë mbështetje në legjislacionin aktual. Kreu i organit të akuzës i përgjigjet Partisë Demokratike se në legjislacion nuk mund të parashikohet përmbajtja e udhëzimeve që mund të nxjerrë prokuroria pasi prek pavarësinë.
Po ashtu edhe raportimi i kryeprokurorit dhe i drejtuesit të SPAK-ut, 3 muaj pas zgjedhjeve për gjendjen e kriminalitetit sipas Olsian Çelës është i pamundur sepse hetimi i çështjeve mund të zgjasë më shumë se aq, por ai sugjeron që në projektligj të vendoset një seksion i veçantë që drejtuesi i SPAK të raportojë në Kuvend për situatën e krimeve zgjedhore