Viti 2020 në Shqipëri ka nisur me krime të rënda ndaj grave, duke vazhduar trendin shqetësues të viteve të fundit, ku të paktën 24 prej tyre u vranë brenda dy viteve të fundit.
Në datën 5 janar, një grua u grabit, përdhunua dhe më pas u mbyt në një liqen në Mallakastër. Në datën 9 janar një tjetër grua u vra nga kunati i saj pasi ai dyshonte se ajo i tradhtonte të vëllain që vuante dënimin në burg.
Gjatë dy viteve të fundit rezulton se janë vrarë në familje 24 gra dhe konkretisht në vitin 2018, 11 prej tyre u masakruan kryesisht nga bashkëshortët.
I njëjti fenomen u vërejt edhe gjatë vitit 2019, ku mbetën të vrara 12 gra. Vlen të theksohet se përgjatë vitit të fundit, mbi 3200 gra kanë kërkuar urdhër mbrojtjeje në Shqipëri.
Aktivistja e të drejtave të grave znj. Mirela Arqimandriti, e ftuar në emisionin “Goog Morning Albanians”, në Euronews Albania është shprehur se për të parandaluar këtë fenomen, nuk mjaftojnë vetëm masat ligjore, por duhet nisur edukimi që tek fëmijët e ciklit të ulët.
“E gjithë kjo ka të bëjë me procesin e zhvillimit të familjes shqiptare, plus çështjet që vijnë për shkak të emigracionit”, është shprehur znj. Arqimandriti.
Ajo gjithashtu ka shpjeguar se vendi ynë është i pari në Ballkan sa i përket krimeve dhe vrasjeve në familje.
“1 në 100 mijë gra vriten në Shqipëri”, ka shtuar aktivistja.
Mirela Arqimandriti, ndër të tjera ka vënë në dukje edhe një tjetër problematikë shumë shqetësuese gjatë bisedës në studion e “Good Morning Albanians”, lidhur me krimin në familje, siç është dhuna dhe vrasjet në sy të fëmijëve.
“Shumica e krimeve në familje ndodhin në sy të fëmijëve, sepse ai që kryen krimin nuk do t’ia di fare, i ka sytë e errësuar”.
Sa i përket aspektit ligjor, për aktivisten e të drejtave të grave, gjërat kanë ndryshuar dhe ligji është forcuar, por kjo gjë sërish nuk po e parandalon këtë fenomen.
“Ligji është forcuar shumë, për këto raste. Por kjo gjë nuk po e ndalon sepse duhet një edukim i përgjithshëm i shoqërisë”, është shprehur Mirela Arqimandriti.