Një rezort i skive në Francë ka tërhequr kritika pasi ka përdorur helikopterë për të sjellë dëborë tek pistat e skijimit për shkak të thatësirës dhe mungesës së dëbore.
Rezorti “Luchon-Superbagneres” në Pirene, të premten dhe të shtunën ka lëvizur përmes helikopterëve rreth 50 ton dëborë të cilat i ka marrë nga pjesa e më e lartë e maleve drejt stacionit.
Dëbora u hodh në disa prej 28 shpateve të malit, duke u fokusuar kryesisht në zonat e dedikuara për fillestarët dhe fëmijët, tha për agjencinë e lajmeve AFP, Hervé Pounau, drejtori i departamentit të këshillit vendor.
Vetëm 6 nga pistat e hapura për skiatorët ishte e hapur gjatë fundjavës për skiatorët.
“Operacioni ka kushtuar rreth 5-6 mijë euro”, ka thënë ai duke argumentuar se “në terma afatgjatë do të marrim mbrapsht të paktën 10-fishin e investimeve të cilat do mundësonin që rezorti të qëndrojë i hapur dhe të shpëtojmë deri në 80 vende pune”.
Por dega rajonale e partisë së Gjelbër Ekologjike të Francës ka kundërshtuar veprimin teksa Bastien Ho, sekretari vendor i partisë, e ka përshkruar një “devijim i cili kontribuon për ngrohjen globale”.
Në Francë, destinacioni i dytë për ski në botë pas SHBA, sezoni i skive sjell të ardhura vjetore prej 9 miliard eurosh dhe punëson 120 mijë persona.
Masat drastike të ndërmarra nga rezorti “Luchon-Superbagneres’s” vijnë në mes të pushimeve të shkollës të shkurtit dhe marsit, një moment shumë i rëndësishëm për rezortet e skive franceze teksa 30 për qind e të ardhurave të tyre vijnë pikërisht nga kjo periudhë.
Por ndryshimet klimatike kanë sjellë një ndikim të madh.
Sipas agjencisë meteorologjike të Francës, edhe pse pati dëborë të dendur në fillim të sezonit të dimrit, janari kishte një klimë të butë dhe shumë të thatë.
Gjykata Franceze e Audituesve publikoi një raport vitin e shkuar ku analizonte ndikimin e ndryshimeve klimatike në rezortet e skive në Alpe. Ata kanë vënë në dukje ato stacione që janë në lartësi të ulët apo të mesme të cilat ishin më të rrezikuara dhe bëri thirrje që ato të diversifikohen duke ofruar shërbime që nuk janë të varura vetëm nga bora.