Sulmi amerikan që la të vdekur komandantin iranian Soleimani ka ngjallur shqetësime të shumta në arenën ndërkombëtare. Analistët në mbarë globin shprehen të shqetësuar se kjo gjë do të ndikojë në rritjen e çmimit të naftës në vitin 2020.
Paraditen e së premtes, Qasem Soleimani, komandanti i forcave Quds dhe Abu Mahdi al–Muhandis, u vranë në një sulm me raketë afër aeroportit të Bagdadit.
Përcaktimi i çmimit të naftës i West Texas Intermediate (WTI), si dhe Brent Crude u rrit me përkatësisht 4,75 dhe 4,95 për qind mesditën e së premtes, ndërsa rezervat globale ranë ndjeshëm.
Disa analistë shprehen shqetësimin se sulmi amerikan mund të shkaktojë dëme në infrastrukturën e naftës në gjirin Persik gjithashtu edhe në vendet e tjera të rajonit.
Ata nënvizuan se nëse konfliktet vazhdojnë më tutje, rezervat e naftës do të bien dukshëm dhe kjo do të ndikonte në rritjen e çmimit globalisht.
Furnitorët e naftës kanë njoftuar paraprakisht se do të kenë reduktim të prodhimit, gjë e cila do të ndikojë në rritjen e çmimit akoma më shumë.
Me rezervat e OPEC-it dhe prodhimin e rritur nga Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendohet se ndikimi i krizës nuk do e rrisë çmimin dukshëm.