Gjermania pret këtë të diel një konferencë ndërkombëtare në përpjekje për të vendosur paqe dhe zgjidhur mosmarrëveshjet në Libi e cila është përshirë prej disa muajsh nga përplasje të dhunshme.
Në Konferencë do të marrin pjesë dy kampet rivale me në krye gjenaralin Khalifa Haftar i cili udhëheq ushtrinë kombëtare libiane me qendër në lindje të vendit dhe nga ana tjetër është Fayez al Serraj i cili kryeson qeverinë me bazë në Tripoli.
Në konferencë pjesëmarrës janë përfaqësues nga Kombet e Bashkuara, SHBA, Rusia, Britania, Franca Kina Turqia dhe Italia.
“Unë nuk jam mjaftueshëm pesimist për të thënë se Berlini do të jetë i padobishëm, por nuk jam aq naiv sa të them që do të jetë fundi i ndarjeve ndërkombëtare. Nëse arrijmë të lehtësojmë, të qetësojmë, ndarjet, veçanërisht ato rajonale por edhe ndarjet ndërkombëtare që kemi parë kohët e fundit, kjo do të ishte shumë e mire”, u shpreh Ghassan Salame, delegat i Kombeve të Bashkuara në Libi.
Takimi do të bashkojë të dy palët, së bashku me mbështetësit e tyre të huaj, përfshirë presidentin e Rusisë Putin i cili mbështet qeverinë e gjeneralit Haftar dhe presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan që mbështet qeverinë në Tripoli.
Kjo nismë është përpjekja e fundit për të stabilizuar vendin e Afrikës së Veriut, një anëtar i Organizatës së Vendeve eksportuese të Naftës (OPEC) i cili është përfshirë nga trazirat që nga rrëzimi i Muammar Gaddafi në 2011.
Konflikti në Libi ka shkatërruar ekonominë, prodhimin e naftës dhe ka shkaktuar një fluks të madh migrator drejt Europës.
“Sa i përket konferencës së Berlinit, nëse do të ishte në favor të popullit libian dhe Libisë, atëherë ne do ta mirëpresim atë. Sidoqoftë, nëse do të ishte në favor të çështjeve të tjera, atëherë ne nuk do të jemi të lumtur” tha Mohamed Abdel Salam, një qytetar në Tripoli.
Konflikti mes dy fraksioneve në Libi ka detyruar më shumë se 140,000 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
Gjatë kësaj kohe janë mbajtur një seri konferencash dhe ngecoimesh për të stabilizuar situatën në Libi, por të gjitha pa rezultate pozitive.