Kroacia do të përpiqet të zhbllokojë bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Ne do të bëjmë çmos për të kapërcyer problemet dhe zhbllokuar procesin që u mbajt në samitin e tetorit në 2019”, deklaroi kryeministri Andrej Plenković, një ditë pasi Kroacia mori mandatin e saj të parë.
Franca dhe Holanda bllokuan hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë vitin e kaluar, duke shkaktuar zhgënjim dhe shqetësim në Ballkanin Perëndimor kurse Rusia dhe Kina luftojnë për ndikim në rajonin e paqëndrueshëm.
Kroacia, e cila u bë anëtare e BE-së në 2013, ishte vendi i fundit që u bashkua me bllokun. Ky shtet kufizohet me tre kombe të tjerë të Ballkanit Perëndimor që kanë bërë kërkesë për anëtarësim – Bosnjën, Mali i Zi dhe Serbi.
Qeveria kroate ka renditur zgjerimin e BE-së si një nga përparësitë për presidencën e saj në BE, e cila do të përfshijë gjithashtu kryesimin e Brexit në fund të muajit dhe fillimin e bisedimeve pas Brexit.
Plenkovic nënvizoi se konteksti i presidencës është shumë specifik.
Në maj në Zagreb do të zhvillohet edhe samiti i BE-së ku do të diskutohet zgjerimi i unionit dhe e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e shohin presidencën kroate por edhe samitin e majit si një mundësi të mirë për t’iu afruar më shumë unionit pas dështimit të hapjes së negociatave gjatë 2019.
Edhe në këtë pikë kryeministri kroat, Plenković është shprehur se në samit janë propozuar dy rezoluta ku e para lidhet pikërisht me zgjerimin kushtuar veçanërisht Tiranës dhe Shkupit.
Sipas tij, vendet që kundërshtuan hapjen e negociatave janë qeveritë socialiste dhe ato jo liberale.