Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë Edi Rama akuzoi se opozita po përhap panik me deklaratat që lidhen me coronavirusin. Z. Rama iu referua këtu akuzave se, mjekëve u janë shpërndarë maska që kanë si datë skadence vitin 2011.
Pasi shpjegoi se, bëhet fjalë për mbi 1 milion maska të cilat kanë hyrë përmes Portit të Durrësit nga Kanadaja si dhurim për bamirësi për një shoqatë, z. Rama tregoi se këto maska i kanë kaluar shtetit pasi shoqata nuk është paraqitur për të paguar detyrimet tatimore.
Kryeministri e pohoi faktin se janë të skaduara, por tha se maskat ofrojnë mbrojte pavarësisht kësaj dhe nga ana tjetër nuk përdoren nga mjekët në vijën e parë në luftën kundër coronavirusit. Pavarësisht kësaj, kreu i qeverisë i bëri opozitës apel për bashkëpunim.
“Ejani të bashkëpunojmë, nuk ka nevojë për shumë task-forca. Po helmoni opinionin publik se janë shpërndarë mbi 1 milion maska të skaduara dhe se tani janë dhënë fondet për karantinë. Kjo lëndon një popull të tërë. Ftesa është shumë e sinqertë”, theksoi ndër të tjera z. Rama.
Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi sërish duke thënë se Kryeministri duhet të japë llogari për shpërndarjen e maskave të skaduara dhe të mos sulmojë opozitën.
“Në vend që të sulmojë opozitën, Edi Rama duhet të japë llogari pse ka shpërndarë 1.2 milionë maska të skaduara? Gënjeshtrat dhe sulmet kundër opozitës nuk i shërbejnë as sigurisë dhe as jetës së shqiptarëve! Janë mijëra burra, gra dhe fëmijë që duhen mbrojtur. Boll me justifikime që fshehin dështimin, boll me gënjeshtra që fshehin paaftësinë, bëj detyrën dhe merr masa reale kundër epidemisë, për hir të gjithë shqiptarëve”, shprehet Basha.