Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është në Ukrainë në një vizitë dy-ditore në cilësinë e kreut të radhës së presidencës së OSBE.
Sikurse njoftohet, shefi ekzekutivit do të zhvillojë takime me zyrtarë të nivelit të lartë në vend, në kuadrin e rëndësisë që i jep Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë krizës në Ukrainën lindore.
Ai do të takojë Presidentin e vendit Zhelenski, kryeministrin Honçaruk si dhe të tjerë personalitete. Bisedimet, sikurse bëhet e ditur, do të fokusohen në veprimtarinë e Misionit Special Monitorues në Ukrainë dhe në përpjekjet drejt zgjidhjes së krizës.
Pas takimeve të nivelit të lartë në Kiev, të martën kryeministri Rama do të udhëtojë drejt krahinave lindore të Ukrainës, ku separatistët pro-rusë synojnë ndarjen e vendit.
Për këtë vizitë ka reaguar vetë kryeministri i Shqipërisë. Me një status në “Facebook” të pak minutave më parë, z.Edi Rama thekson se kjo e hënë do jetë ditë intensive për të, ndërsa do të takojë krerët më të lartë të shtetit të Ukrainës.
“Kiev, Ukrainë: Ditë takimesh me autoritetet e larta të vendit në cilësinë e Kryetarit në Detyrë të OSBE – Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me ministrin Vadym Prystaiko”-shkruan z.Edi Rama.
Pas marrjes së kryesimit të OSBE-së, kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria do të luajë rol aktiv për të zhvilluar marrëdhëniet miqësore mes vendeve, të cilat janë pjesë e kësaj organizate.
“Kriza në Ukrainë mbetet sfida më e madhe e sigurisë në Europë. Misioni i OSBE-së është i përfshirë në sigurimin e paqes dhe sigurisë. Ka pasur sinjale pozitive nga aty por rruga drejt paqes mbetet e gjatë. Misioni i OSBE dhe Ukraina do të jenë në agjendë gjatë vizitës sime të parë. Procesi për zgjidhjen e konflikteve do të jetë në krye të agjendës së Shqipërisë në OSBE”-theksoi kryeministri i vendit, z.Edi Rama.