Kryeministri i Francës François Bayrou njoftoi të martën se do të rinegociojë planin për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 65 vjeç, një lëvizje që vlerësohet e rëndësishme për të siguruar stabilitet për qeverinë e tij të pakicës.
Në fjalimin e tij të parë para ligjvënësve në Asamblenë Kombëtare, Kryeministri Bayrou tha se “ka vendosur ta rihapë këtë çështje”.
Ai u zotua se do të kërkojë “një rrugë të re për reforma, pa patur ndonjë tabu as kur bëhet fjalë për çështjen e moshës së pensionit”, përderisa financat për ndryshimin janë të garantuara.
Plani i Presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën për të dalë në pension nxiti protesta masive nga janari deri në qershor të vitit 2023.
Kryeministri duhet ta miratojë me urgjencë buxhetin për vitin 2025. Pas rrëzimit të qeverisë së mëparshme u miratua një ligj emergjence që t’i mundësonte qeverisë mbledhjen e taksave duke filluar nga 1 janari, pagimin e shpenzimeve bazë për të shmangur mbylljen e qeverisë.
Megjithatë, vetëm një buxhet i rregullt mund të ndihmojë në zvogëlimin e deficitit buxhetor të Francës dhe të mundësojë shpenzime kyçe si për shembull marrjen e masave mbrojtëse që janë të nevojshme si rezultat i luftës në Ukrainë.
Kryeministri Bayrou gjithashtu ka nënvizuar nevojën që Franca dhe Bashkimi Evropian të vazhdojnë të mbeten të fuqishme pas komenteve të bëra së fundmi nga Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump.
Tregjet financiare, agjencitë që vlerësojnë aftësitë kreditore të vendeve dhe Komisioni Evropian po i bëjnë trysni Francës që t’i përmbahet rregullave të bllokut për të kufizuar borxhin dhe për të mos lejuar daljen jashtë kontrollit të kostos së huamarrjes. Kjo do të rrezikonte ekonominë e vendeve të eurozonës.
Deficiti i Francës pritet të arrijë në 6% të prodhimit të brendshëm bruto të vitit 2024. Kryeministri tha të martën se qeveria synon të mbajë deficitin në nivelin 5.4% me qëllim që deri në vitin 2029 ta ulë në 3%, sipas rregullave të BE-së.
LEXONI GJITHASHTU:
- Dosja e MI5, mbretëresha Elizabeth nuk u informua për spiun në shtëpinë mbretërore
- Shkatërrohet karteli italo-shqiptar i narkotrafikut, 15 të arrestuar