Teksa Italia vazhdon me numrin më të madh të personave të prekur me coronavirus, kryeministri Conte flet për situatën në vend shprehur se ende nuk është arritur kulmi, ndaj duhet treguar kujdes për të respektuar masat e marra.
“Për të parë rezultatet e vendimeve të qeverisë në luftën kundër coronavirusit duhet të presim disa javë. Për më shumë nuk shërbejnë të tjera kufizime, duhet të respektojmë ato ekzistueset”.
Ky është apeli i ri i kryeministrit Conte në përpjekje për të parandaluar përhapjen e covid-19.
Në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere Della Sera”, Conte thekson se duhen shmangur lëvizjet dhe se ende nuk është arritur kulmi i përhapjes së virusit.
“Duhet të shmangim në çdo mënyrë lëvizjet e panevojshme. Është kohe e sakrificës e zgjedhjeve të përgjegjshme, po përballemi me një emergjencë të panjohur me parë.
“Nëse do të vijojmë të qëndrojmë në shtëpi duke evituar kontaktet do të jemi më efikasë për të mposhtur virusin.
“Shkencëtarët thonë se ende nuk ka arritur kulmi. Këto janë javët më me rrezik dhe duhet kujdes maksimal. Nuk mund të ulim masat mbrojtëse.
“Është sfida më e madhe e viteve të fundit dhe për ta fituar duhet kontributi i 60 milionë italianëve”, shtoi ai.
Për sa i përket polemikave për organizmin në sistemin shëndetësor, Conte shprehet se organizmi është në duart e rajoneve, dhe se duhet bashkëpunim për të pasur një përgjigje sa më efikase në sistemin shëndetësor.
Ndërsa për gjendjen ekonomike, kryeministri Italian shprehet se pas largimit të virusit asgjë nuk do të jetë si më parë. “ Do të duhet të ulemi dhe të riformulojmë rregullat e reja të ekonomisë dhe të tregtisë së lirë”