Hezbollah konfirmoi të shtunën se lideri i kësaj organizate prej kohësh, Hassan Nasrallah, ishte vrarë pas sulmeve ajrore intensive izraelite në Liban.
Vdekja e Nasrallah është një përshkallëzim i madh në luftën e Izraelit me grupin militant libanez, shkruan korrespondenti i Sigurisë i BBC-së Frank Gardner, i cili potencialisht e ka sjellë rajonin një hap më afër një konflikti edhe më të gjerë, sipas mediave të huaja.
Ayatollah Ali Khamenei, lideri suprem i Iranit, u zotua se vdekja e Nasrallahut “nuk do të kalonte pa hakmarrje”. Irani, i cili e ka mbështetur Hezbollahun si financiarisht ashtu edhe ushtarakisht, shpalli zi publike disaditore, ashtu si edhe Libani e Iraku.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshkroi vdekjen e Nasrallah, e cila erdhi pasi Izraeli të premten sulmoi selinë qëndrore të Hezbollahut në Bejrut, si një “pikë kthese historike”. Ai tha se me vrasjen e Nasrallahut, Izraeli kishte “larë hesapet”.
Presidenti i SHBA, Joe Biden tha se vdekja e Nasrallah ishte një “masë drejtësie” për viktimat e tij, por shtoi se Uashingtoni do të vazhdojë të punojë për të de-përshkallëzuar konfliktin. “Është koha për një armëpushim tani,” u tha ai gazetarëve.
Ndërkohë, ushtria izraelite thotë se ka kryer “dhjetëra” bastisje ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban në orët e fundit.
LEXONI GJITHASHTU:
- Iraku shpall tre ditë zie pas vrasjes së liderit të Hezbollah, Nasrallah
- VIDEO/ Izraeli bombardime masive në Bejrut, 20 mijë ton eksploziv për Nasrallah