Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ditën e sotme ndjesë ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë rezidentë në vendin tonë, por të mbetur jashtë kufinjve për shkak të mbylljes së këtyre të fundit. Ai paralajmëroi publikimin e një plani ditën e hënë për hapjen graduale të rrugës së riatdhesimit.
“Duke ju kërkuar 1000 herë ndjesë të gjithë atyrë që janë rezidentë në Shqipëri dhe për arsyen madhore të mbrojtjes së popullit e vendit tonë nga agresioni i armikut të padukshëm, kanë mbetur jashtë kufijve të mbyllur, si edhe duke u nisur nga mbajtja nën kontroll e kurbës së infeksionit deri tani, jemi gati të publikojmë të hënën planin e një hapjeje shumë graduale të rrugës së riatdhesimit, me kushtet përkatëse detyruese të karantinimit 14 ditor, nën rregulla të forta sigurie”, tha kryeministri Rama në postimin e tij në facebook.
Më tej Rama shtoi se fakti që në Shqipëri nuk ka patur shumë viktima ka ardhur pikërisht prej masave të forta dhe sakrificës së çdo qytetari, duke shtuar në parantezë se luftrat nuk vijnë për të sjellë gëzime dhe qetësi, por për të shkaktuar plagë dhe dhimbje.
“Ne nuk mund ta humbim këtë luftë, e nuk do ta humbim këtë luftë, sepse ne nuk jemi pasardhësit e heronjve, dëshmorëve e luftëtarëve shqiptarë në shekuj, vetëm kur kemi festa e kur këndojmë këngë për ta, po edhe kur duhet të bëjmë detyrën tonë ndaj atdheut, popullit, njëri – tjetrit, sot më shumë se kurrë”, tha Rama.