Kryeministri i vendit, Edi Rama njofton mbylljen e të gjithë restoranteve, bareve dhe klubeve në Tiranë dhe në Durrës. Me një postim në “Facebook”, Rama shprehet se kjo masë drastike vjen si kundërpërgjigje për vetëdijen e ulët të qytetarëve, të cilat duket se nuk respektojnë rregullat e paracaktuara nga ministria e Shëndetësisë.
“Ndjesë por duke parë shkallën e ulët të vetëdijes së shumë qytetarëve, kryesisht të rinj, që e kanë edhe më të vështirë të rrinë në një vend, detyrohemi të mbyllim të gjitha restorantet, baret, klubet, në Tiranë dhe Durrës fillimisht!”, shkruan Rama.
Ai shprehet se kjo nuk është kohë pushimesh, por një situatë lufte që luftohet duke kufizuar lirinë e lëvizjes.
“Kjo nuk është kohë pushimesh dhe argëtimesh jashtë shtëpisë, po kohë lufte dhe kjo luftë fitohet vetëm duke kufizuar lirinë tënde, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën e jetesës dhe duke ruajtur familjen tënde nga kontaktet e tua me jashtë!Frikë aspak, kujdes po! madje shumë fare!”, shkruan Rama.