Kryeministri, Edi Rama ka paralajmëruar të gjithë qytetarët që të mos dalin nga shtëpitë deri të hënën në orën 05:00. “Askush nuk do të dalë nga shtëpia përveç forcave të policisë, ushtrisë dhe shërbimeve më kritike të shtetit. Nuk do të jetë i hapur as njëlloj qepeni në të gjithë territorin e Shqipërisë”, deklaroi ai.
Kryeministri ka theksuar se, për të pabindurit do të përdoret forca dhe do të ketë dhe ndëshkime të tjera përveç gjobës. “Nuk do të mjaftohet me gjoba dhe sensibilizim, por ushtria dhe policia do të veprojnë”, tha z. Rama. “Do të përdoret forca dhe çdo mjet i ligjshëm deri tek uji dhe gazi lotsjellës për të pabindurit.”
Ai përdori madje termin “listë të zezë tradhtarësh”, ku këta persona do të humbasin shumë privilegje që qytetarët e tjerë do të kenë nga shteti në planin e ndihmës financiare për COVID-19.
“Policia dhe ushtria do të mbikëqyrin çdo lagje në Tiranë dhe në Durrës, ku kemi dhe zonën më të kuqe të të gjithë vendit si dhe çdo zonë urbane në vend, duke identifikuar, fotografuar dhe futur në një listë të zezë tradhtarësh individ që merr diell, luan domino apo bën gallatë me ata që i ka njësoj si vetja në oborret e lagjes”, u shpreh Kryeministri.
Kreu i qeverisë tha ndër të tjera se orari i lejimit të lëvizjes dhe gjatë javës së ardhshme do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në 13:00, orar ky që do të jetë i vlefshëm për qytetarët dhe administratën publike.
Duke rikujtuar atë që po ndodh në Itali, Spanjë dhe Francë, kreu i qeverisë bëri thirrje që të sakrifikohet liria e lëvizjes që nesër të mos vajtohet për humbje jetësh.
Nga ana tjetër, z. Rama tha se për të gjithë ata që shprehin shqetësim për të varfrit se nuk kanë me çfarë të ushqehen u përgjigj jo pa ironi: “Sot askush nuk kërcënohet nga vdekja për shkak të urisë, por sot kërcënohemi nga vdekja për shkak të marrëzisë.”