Nicola Sturgeon, kryeministrja e Skocisë ka premtuar se popullit skocez “do t’i jepet e drejta për të votuar për të ardhmen e vet”, pasi kryeministri britanik Boris Johnson nuk ka pranuar që Skocia të mbajë një referendum të dytë për pavarësinë.
Në një letër drejtuar Sturgeon, kryeministri Johnson tha se Skocia e ka “marrë vendimin e tyre” në zgjedhjet e 2014-s, në të cilat Partia Kombëtare e Skocisë (SNP) i premtoi popullit se ishte një mundësi që ju vinte një herë në jetë.
“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojë të përkrahë vendimin demokratik të popullit skocez dhe premtimin që ju i keni bërë atyre. Për këtë arsye, unë nuk mund të pranoj asnjë kërkesë për transferimin e pushtetit që do të çonte drejt më shumë referendumesh për pavarësinë”, shkroi Johnson.
[twitter_feed=https://twitter.com/BorisJohnson/status/1217039173347168257]
Në përgjigjen e saj, Sturgeon tha se “e priste” përgjigjen e Johnson dhe shtoi se Partia Konservatore “ka frikë t’i japë Skocisë të drejtën për të zgjedhur të ardhmen e tyre”.
Një ndër politikat kyçe të Sturgeon gjatë zgjedhjeve ishte premtimi për një referendum të dytë me argumentin se shumica e votuesve qenë kundër Brexit, prandaj Skocia nuk duhet të detyrohet të largohet nga Bashkimi Europian së bashku me Britaninë.
[twitter_feed=https://twitter.com/NicolaSturgeon/status/1217047157599100928]
Ajo beson se nëse skocezëve do tu jepej mundësia për të zgjedhur midis pavarësisë së Skocisë dhe daljes nga BE-ja së bashku me Britaninë, shumica e tyre do të zgjidhnin pavarësinë. Sipas sondazhit të fundit, një referendum i dytë do të kishte një rezultat shumë të ngushtë. Në vitin 2014, rezultati ishte 55.3 për qind kundra dhe 44.7 për qind në favor.
Partia Kombëtare e Skocisë fitoi bindshëm në zgjedhjet e 13 dhjetorit, duke lënë jashtë një numër të madh deputetësh nga Laburistët dhe Liberal Demokratët.