Inceneratorit të Fierit i duhen edhe 3 milionë euro të tjera nga buxheti i shtetit që të bëhet i operueshëm.
Burime zyrtare për Euronews Albania nga Drejtoria e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara, konfirmuan se investimi në këtë vepër nuk ka përfunduar dhe asnjë nga impiantet e djegies nuk punon.
Dy administratorët e caktuar nga shteti janë përballur me fatura të palshlyera të koncesionarit për pjesë që ka porositur por që nuk i ka paguar.
Sipas informacioneve zyrtare, duhet që fillimisht të bëhet shlyerja e faturave dhe më pas kompania që ka shitur teknologjinë e djegësve të rinisë furnizimin.
Mungesa e fondeve dhe lënia në mes e investimit rrezikon të degradojë objektin, çka do të çonte dëm 28.5 milionë eurot e dhëna deri tani për këtë vepër nga buxheti.
Sipas kontratës së ndryshuar në shtatorin e vitit 2020, kompania Integrated Technolog Waste Treatment duhet të kishte përfunduar të gjithë investimin në mars të vitit të shkuar, por pavarësisht mosrespektimit të saj, qeveria ka vijuar me pagesat e koncesionarit.
Kontrata përcakton se shteti duhet të paguajë 33 milionë euro në total, ku 28 milionë është vlera e investimit dhe 5 milionë euro janë tvsh e projektit.
Aktualisht objekti ndodhet nën sekuestro, ndërsa pronari i kompanisë koncesionare, Klodian Zoto ndodhet në kërkim, për shkak të aferës abuzive që zbuloi Prokuroria e Posaçme e Krimeve të Rënda me fondet e kësaj vepre.
LEXONI GJITHASHTU:
- Bashkitë do të paguajnë 620 mijë € për mbetjet në inceneratorin e Fierit
- 4 muaj pa marrë pagat, punonjësit e inceneratorit të Fierit në protestë