Qeveria e Kosovës ka shtyrë vendimin për pajisjen e qytetarëve serbë me dokumente dhe targa kosovare në territorin e Kosovës për në 1 shtator 2022.
Vendimi u mor në orët e vona të mbrëmjes së të hënës pas tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës ku qytetarë serbë bllokuan pikat kufitare.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se shtyrja e zbatimit të vendimeve për targat dhe reciprocitetin për letërnjoftime bëhet vetëm me kushtin që nga veriu i vendit të hiqen të gjitha barrikadat dhe të rikthehet liria e lëvizjes.
“Në bashkëpunim me aleatët tanë ndërkombëtarë, ne zotojmë se do të shtyjmë për 30 ditë zbatimin e vendimeve për targat e makinave dhe dokumentet hyrëse-dalëse në pikat kufitare me Serbinë, me kusht që të hiqen të gjitha barrikadat dhe të rivendoset liria e plotë e lëvizjes”, shkroi Kurti.
Situata në Veri të Mitrovicës u tensionua pasditen e së dielës një ditë para se në Kosovë të niste organizimi i procesit për regjistrimin e targave ilegale në ato “RKS”, në të gjitha Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve.
Policia e Kosovës bëri të ditur se janë mbyllur pikat kufitare në Jarinje dhe Bernjak, për shkak të bllokimit të rrugëve dhe u bëri thirrje për qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare.
LEXONI GJITHASHTU: