Në paketën e dytë ekonomike të prezantuar një ditë më parë nga kryeministri do të përfitojnë 10 mijë të punësuar në sektorin e turizmit, duke marrë një ndihmë 40 mijë lekë të reja. Kryetari i Unionit Turistik shqiptar, Rrahman Kasa ishte në një lidhje të drejtëpërdrejtë për Euronews Albania për të analizuar shumën monetare të akorduar për këtë sektor.
“Unë besoj se nuk është ajo që kemi kërkuar, nuk është e mjaftueshme sepse e para turizmi nuk ka 10.000 të punësuar, por ka rreth 100.000. Ajo që marrim vesh në mënyrë befasuese është se këto 10.000 të punësuar që përfitojnë nga sektori i turizmit janë ata që janë larguar nga puna para datës 10 prill. Ndërkohë që ne ju kemi kërkuar bizneseve të turizmit që të mos largojnë punonjësit nga puna në mënyrë që të mos humbasin një staf të kualifikuar që na është dashur gjithë këto vite t’i trajnojmë. Kjo nuk besoj se ka logjikë dhe mendoj që është bërë vetëm për t’iu ardhur në ndihmë këtyre njerëzve në nevojë, por jo për të ndihmuar sektorin e turizmit në tërësi si një sektor i cili ka nevojë për një paketë të dedikuar që t’i shpëtojë kolapsit”, tha Kasa.
Ai shtoi se bizneset duhen ndihmuar me pagesat që i japin punonjësve në këtë moment, duke qenë se aktualisht nuk ka ndonjë shkëmbim tregtar.
“Ne kemi kërkuar një paketë të dedikuar ndaj turizmit në mënyrë që të plotësohen të gjitha kriteret. Nuk është e drejtë që ata të cilët janë larguar nga puna të përfitojnë dhe ata që janë në punë biznesi t’i mbajë me kostot e tij, sipas qeverisë duke marrë kredi nëpër banka për të paguar këto punonjës. Kjo do të thotë që biznesit t’i shtohet barra financiare duke paguar punonjës kur për momentin nuk ka aktivitet tregtar”, tregoi Kasa.
Sipas kryetarit të Unionit Turistik shqiptar sektori i hotelerisë është i rrezikuar të falimentojë.
“Bizneset duhen ndihmuar nëpërmjet shtetit duke i dhënë pagesat minimale të punonjësve derisa të zgjasë situata e krijuar nga coronavirusi. Sektori i hotelerisë, i cili ka edhe disa kredi të tjera për shkak të investimeve që janë bërë nisur nga kërkesa dhe trendi i rritjes së turizmit në kohët e fundit, do të ketë një kolaps sepse duke mos prodhuar të ardhura këtë vit, i detyruar të paguajë edhe kreditë besoj që nuk do ta përballojë dot situatën financiare dhe do të shkojë drejt falimentimit”, tha ai për Euronews Albania.