Shqipëria vazhdon të jetë e preokupuar nga rreziku i përhapjes së coronavirusit edhe brenda territorit të vendit, pas shpërthimit epidemik në Italinë fqinje e cila është tashmë një vatër e madhe në mes të Europës.
Ministria e Shëndetësisë kreu një tjetër komunikim me publikun pasditen e djeshme në të cilin ajo informoi se fillimisht u kryen analizat për 8 shtetas të dyshuar si të infektuar me corona të cilët rezultuan negativë.
Më vonë gjatë mbrëmjes, u mësua se analiza ishin kryer edhe për 5 qytetarë të tjerë të cilët gjithashtu kishin rezultuar të paprekur nga virusi.
Qytetarët sidoqoftë mbeten të shqetësuar. Një person nga Skrapari, i dyshuar si i prekur nga virusi AH1N1, apo ndryshe gripi i derrit, ndërroi jetë në sanatorium gjatë orëve të mbrëmjes.
Ministria u kërkoi qytetarëve që kanë dyshime se mund të jenë prekur nga virusi, të kontaktojnë menjëherë me Urgjencën Kombëtare në numrin 127 por garantoi që deri tani, asnjë rast me COVID-19 nuk është konfirmuar në Republikën e Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër, ka shpërndarë një postim në “Facebook” gjatë ditës, në të cilin nuk e ka humbur rastin për të shigjetuar mediat, që sipas tij përhapin informacione të pavërteta apo panik.
“Koronavirusi nuk luftohet me politikë, as me gjithollogji dhe aq më pak me frikë dhe lëre pastaj me panik!Ne kemi qysh momentin e parë të shfaqjes së tij që përgatitemi, në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Kemi bërë e po bëjmë çdo gjë sipas planit”- shkroi Rama.
Lexoni gjithashtu:
COVID-19, ministria e Shëndetësisë nxjerr urdhër për shkollat në vend
”Jeta këtu vazhdon normalisht”, thonë për Euronews Albania shqiptarët në Itali lidhur me COVID-19
Shqiptarëve të kthyer nga Lombardia u kërkohet të vetëizolohen
Kryeministri Rama: Mos bini pre e lajmeve false për coronavirus